Një automjet luksoz tip “Lamborghini Urus”, me vlerë rreth 160 mijë euro, është sekuestruar nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Manovra”, si pjesë e hetimeve për pastrim parash dhe burime të dyshimta pasurie.
Operacioni u zhvillua në aksin rrugor Sauk-TEG, ku u ndalua automjeti i drejtuar nga shtetasi Sahit Shpataj, 34 vjeç, person me precedentë penalë për vepra të tilla si vjedhje përmes përvetësimit të detyrës shtetërore, dhunë në familje, dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Sipas të dhënave zyrtare, Lamborghini Urus ishte regjistruar në emër të një kompanie private në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e burimit financiar dhe shmangien e hetimit pasuror.
Të dy shtetasit, Sahit Shpataj dhe E. D., janë vënë nën hetim penal, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të jenë produkt i veprimtarive të paligjshme.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të zbatimit të strategjisë për goditjen e pasurisë me origjinë kriminale.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, që po ndjek më tej hetimet.
© SYRI.net