Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth një orë më parë në qytetin e Durrësit, pranë një hoteli të vëllait të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako. sipas gazetares së SYRI TV, Albana Aliaj, një sasi tritoli është vendosur brenda një çante të dyshimtë, e cila është lënë pranë hyrjes së hotelit, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë që ndodhen në zonë.
Pas sinjalizimit, forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe duke evakuuar njerëzit përreth. Për neutralizimin e mjetit shpërthyes është kërkuar ndërhyrja e specialistëve të njësisë antieksploziv, të cilët kanë bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por ngjarja ka krijuar kaos dhe frikë në një zonë turistike tejet të frekuentuar në këtë periudhë të verës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e vendosjes së eksplozivit.
Ngjarja fillimisht është denoncuar nga gazetari Basir Çollaku, informacion të cilin e ka ndarë rrjetin e tij social Facebook.
"Nuk ka diell që e ndalon. Në Durrës, para dy orësh kishte prani të madhe politore. Forca të shumta tek hotel 'Pameba', ndryshe Dako. Haberet flasin se kanë bërë një shpërthim të kontrolluar të një bombe që kanë vënë aty afër persona ende të paidentifikuar", shkruan Çollaku.
© SYRI.net