Ndërkohë që krimi ka pushtuar totalisht kryeqendrën e veriut duke u shndërruar në një parajsë të plumbave dhe vrasjeve, drejtori i Përgjithshëm i policisë Proda gjen kohë të tallet e tmerrin që po jetojnë banorët e Shkodrës.
Në një mesazh gjatë ditës së sotme ai paska falënderuar policinë. Se për çfarë e ka falenderuar vetëm ai duhet ta kuptojë. Ndërkohë që qytetarët duan rend dhe siguri Proda gjen kohë që të falenderojë për punën e pabërë policinë. Sepse policia paguhet për të parandaluar krimin dhe ngjarjet kriminale dhe jo vetëm për të mbledhur gëzhojat pas vrasjes së radhës nëpër vendngjarje.
Ky është një turp. Një matrapazllëk për të fshehur lidhjet e errëta që kanë shoqëruar policinë e Shkodrës me krimin që nga marrja e pushtetit nga Rilindja e Edi Ramës. Gjatë ngjarjeve në Theth i hoqën të gjithë drejtuesit e policisë në qark, por siç duket edhe tufa e re që mbërriti në Shkodër nuk ka si qëllim ndalimin e krimit dhe vendosjen e rendit dhe sigurisë, por të kundërtën, bashkëpunimin me të në krime dhe kultivim droge.
Nuk kemi se çfarë të themi kur vetë kreun e bashkisë e zgjodhën bandat. Pikërisht ato që janë personazhe të ngjarjeve. Ndërkohë që mund të kujtojmë se si eksponentë të krimit urdhëronin oficerë policie që të nisin çështje hetimore ose ti ndalonin ato. Ndërsa për vete Prodën u tha nga opozita në kohën që u emërua si kreu i policisë se emërimi i tij ishte sponsorizuar nga bandat.
Reagimi qesharak i Drejtorit të policisë:
Mesazh i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, drejtuar efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:
“Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës,
Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë.
Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.
Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.
Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.
Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.
Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Drejtues Madhor Ilir Proda
© SYRI.net