SYRI TV/ Vdekja nga kali? Familjarët e Jorgo Ajredinit: Nuk ishte aksident, e goditi një burrë nga Pogradeci...

17:01, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familjarët e Jorgo Ajredinit që vdiq këtë fundjavë, kanë bërë denoncime të forta, ku pretendojnë se 58 vjeçari nuk është mbytur nga kali por është vrarë. Ngjarja ndodhi më 13 gusht, ku prej kësaj kohe Ajredini qëndroi në koma deri të dielën. Policia ka rihapur dosjen, teksa një nga vëllezërit e të ndjerit thotë se ky i fundit i ka rrëfyer para se të kalonte në koma, se e ka dhunuar një burrë nga Pogradeci.

Syri TV

Rreth një muaj pas një ngjarje të rëndë në fshatin Rëmbec të Maliqit, familjarët e të ndjerit Jorgo Ajredini kanë ngritur pretendime të forta, që rrëzojnë pistat zyrtare. Policia e Korçës e regjistroi rastin si aksident duke dyshuar se 58 vjeçari ishte goditur nga kali. Por familjarët e tij këmbëngulin se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale. Ata thonë se Jorgo u gjet pranë fushës së sportit të fshatit, në një kanal, me plagë në ballë dhe pas veshëve – dëmtime që sipas tyre nuk përputhen me një aksident me kafshë. Dyshimi përforcohet më tepër kur familjarët pretendojnë se viktima kishte pasur një konflikt të hershëm për motive familjare me një banor të fshatit dhe dyshojnë se është goditur me sende të forta. Vëllai i të ndjerit Agustin Ajredini thotë se pak kohë para se të futej në koma, Jorgo i kishte folur për dikë që e kishte goditur.

Edhe Ilia Ajredini thotë se e gjeti vëllain me plagë në kokë, pas veshëve dhe në nofull.

Daja i viktimës, Kostaq Kosturi, kujton se mjeku i QSUT-së, që e kishte trajtuar edhe më parë, përjashtoi mundësinë e aksidentit.

Pas vdekjes së 58-vjeçarit, policia dhe prokuroria e Korçës kanë rihapur hetimet. Janë marrë në pyetje rreth 15 persona, përfshirë familjarë dhe banorë të fshatit. Gjithashtu, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat po analizohen. Grupi hetimor është në pritje të raportit përfundimtar mjeko-ligjor për të përcaktuar nëse vdekja e Jorgo Ajredinit ka qenë për shkaqe aksidentale apo kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco