SYRI TV/ U përdhunua në Durrës, zbardhet dëshmia e italianes 18-vjeçarja: Dola të merrja ajër në bregdet

14:31, 07/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Është zbardhur dëshmia e 18 vjeçares italiane që dyshohet se u përdhunua në Durrës nga 26 vjeçari Leonard Peza. E reja thotë se ndodhej për pushime në Shqipëri me familjen dhe shoqërinë. Të premten rrëfen e reja, doli nga dhoma e hotelit për të marrë ajër në bregdet kur u sulmua seksualisht nga i riu. Ngjarja ka ngjallur indinjatë në mediat dhe shoqërinë italiane duke iu bërë jehonë dhe ngritur pikëpyetjen mbi sigurinë në Shqipëri. 

Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë e 18 vjeçares që dyshohet se u përdhunua nga 26 vjeçari shqiptar Leonard Peza në lagjen nr 13 në Durrës të premten e kaluar. E reja dëshmoi se ndodhej me pushime në Shqipëri me një grup miqsh dhe familjen e saj.

“Isha me miqtë, kishim pirë diçka gjatë natës. Në një moment u largova për pak kohë me një shoqe, u ngjita në dhomë dhe më pas zbrita vetëm në plazh, për të marrë pak ajër. U ula në një nga shezlongët përballë hotelit. Aty më erdhi një djalë, që fillimisht nuk më foli. Pastaj më sulmoi, më kapi dhe, pavarësisht përpjekjeve të mia për t’u mbrojtur, më përdhunoi. I bërtita, i kërkova të ndalonte, por ai nuk u ndal” 

Pas denoncimit të menjëhershëm, policia shqiptare nisi hetimet dhe pasi këqyri pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, arriti të identifikojë dhe të arrestojë brenda disa orësh autorin e dyshuar, Leonard Peza me precedent të mëparshëm penal. Ky i fundit pretendon se marrëdhënia ka qenë me vullnetin e të dyve, por provat mjeko-ligjore e kundërshtojnë këtë version.

Ngjarja ka shkaktuar reagim të gjerë edhe në komunitetin Italian përfshirë edhe kryebashkiakun e Campagnas, Alberto Natin.

“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Vajza është një nga të rejat e komunitetit tonë, një vajzë e edukuar dhe e dashur nga të gjithë. Ne jemi pranë saj dhe familjes në këtë moment të tmerrshëm. Kërkojmë që drejtësia shqiptare të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorit të këtij akti çnjerëzor” .


Gjithashtu disa nga mediat prestigjioze të vendit fqinj si Il Gazzettino, Corriere della Sera, La Repubblica etj, kanë cituar gjerësisht dëshminë e vajzës dhe kanë raportuar me tone të forta për këtë ngjarje, duke ngritur gjithashtu pyetjet mbi sigurinë e turistëve në zonat bregdetare të Shqipërisë.

Ndërkohë që Leonard Peza ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza të rënda për dhunë seksuale, hetimet po vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Vajza, e cila ndodhet ende nën kujdes mjekësor dhe psikologjik, pritet të kthehet së shpejti në Itali, ku do të vijojë trajtimin dhe mbështetjen nga familja dhe autoritetet vendase.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco