Një ngjarje tronditëse është zbuluar në qytetin e Durrësit, ku një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi mbante me forcë në banesën e tij një vajzë 15-vjeçare, duke ushtruar ndaj saj dhunë psikologjike dhe duke e penguar të largohej.
Sipas Policisë së Durrësit, i arrestuari dyshohet se kishte një marrëdhënie intime me të miturën dhe nuk e lejonte të largohej nga banesa e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Enea Zeqiri, 33 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës.
Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” me silenciator dhe municion luftarak, të cilat u morën si prova materiale në kuadër të hetimit.
Në ngarkim të 33-vjeçarit rëndojnë veprat penale “Dhuna në familje”; “Heqja e paligjshme e lirisë”; “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.
© SYRI.net