Arrestohet në Santo Domingo të Republikës Dominikane i dyshuari për pjesëmarrje në trafikun ndërkombëtar të drogës, 40-vjeçari shqiptar Soni Pepa. Në momentin e arrestimit nga Interpoli, iu gjet një pasaportë shqiptare, dokumente italiane dhe 5 telefona celularë të koduar si dhe para cash.
Nga Ana Peguero, DIARIO LIBRE
Qytetari shqiptar, i kërkuar në vendin e tij për trafik ndërkombëtar droge, kishte më shumë se një muaj në Republikën Dominikane.
Soni Pepa, 40 vjeç, hyri më 31 korrik 2025 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Punta Kanës, në lindje të vendit, i shoqëruar nga familja e tij, me pretendimin se vinte në vend për pushime.
Kur tentoi të largohej nga territori i Republikës Dominikane, autoritetet verifikuan se ai ishte i kërkuar nga drejtësia e vendit të tij, gjë që e shtyu të përpiqej të shmangte procesin.
Menjëherë u aktivizua një operacion për lokalizimin e tij, i cili përfundoi me arrestimin e tij të mërkurën, më 3 shtator, në Distriktin Kombëtar, përmes Zyrës Qendrore Kombëtare (OCN) të Interpol Santo Domingo.
Pepa është i kërkuar nga autoritetet e vendit të tij me Njoftimin e Kuq Nr. A-11907/8-2025, për pjesëmarrjen e dyshuar në trafik ndërkombëtar droge.
Sipas raporteve ndërkombëtare, i arrestuari lidhet me një ngarkesë prej 11 tonë kokainë, prej të cilave u sekuestruan 600 kilogramë në Roterdam, Holandë, midis 7 dhe 8 nëntorit 2020, përveç se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.
Raportet tregojnë se ai ishte pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar që operonte në vende evropiane dhe amerikano-jugore, me qëllim trafikun e sasive të mëdha të narkotikëve. Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Viletas në Paraguai, me destinacion portin e Antverpës në Belgjikë.
Në momentin e kapjes, autoritetet i sekuestruan një pasaportë shqiptare, dokumente me origjinë italiane, pesë telefona të koduar dhe një shumë parash në dorë.
Policia Kombëtare njoftoi se në orët në vazhdim, Pepa do të transferohet te Drejtoria e Përgjithshme e Migracionit, për deportimin e mëtejshëm në koordinim me OCN-Interpol Santo Domingo.
© SYRI.net