Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në unazën e qytetit të Korçës, ku një automjet ka përplasur një grua që po lëvizte me biçikletë.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa gruaja ka mbetur e plagosur si pasojë e përplasjes. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, e cila ka transportuar të lënduarën, shtetasen E. C., 51 vjeçe, drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme. Bëhet me dije se, shtetasja J. S, drejtuesja e mjetit që ka goditur biçikletën është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e saj shëndetësore, ndërkohë që policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:10, në unazën e qytetit, shtetasja J. S., duke drejtuar automjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasja E. C., 51 vjeçe, e cila u dërgua në spital dhe është jashtë rezikut për jetën.
Drejtuesja e automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.
© SYRI.net