Fëmijët tanë të pambrojtur: Belgjika ndalon monopatinat e rrezikshme, çfarë po bën qeveria shqiptare?

Fëmijët tanë të pambrojtur: Belgjika ndalon monopatinat e rrezikshme, çfarë po bën qeveria shqiptare?

17:36, 26/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa Belgjika shpall masa të forta për të ndaluar shitjen dhe përdorimin e monopatinave elektrike që tejkalojnë standardet e sigurisë, Shqipëria vijon të heshtë përballë një rreziku të përditshëm që u kanoset fëmijëve në rrugë.

Autoritetet belge kanë njoftuar kontrolle të shtuara që nga shtatori dhe kufizime drastike për modelet e shpejta, pas një rritjeje alarmante të aksidenteve, ndërsa në vendin tonë, monopatinat përdoren lirisht nga të mitur, shpesh pa asnjë masë sigurie.

Vetëm në pak muaj, Shqipëria ka regjistruar ngjarje të rënda që përfshijnë kryesisht fëmijë. Më 17 tetor 2024, dy të mitur u përplasën nga një automjet teksa lëviznin me monopatinë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, duke përfunduar në spital me plagë të rënda.

Vetëm pak muaj më pas, më 26 qershor 2025, një aksident i tmerrshëm ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku tre fëmijë u përplasën nga një makinë. Njëri prej tyre, një 11-vjeçar,ishte për disa kohë në gjendje kritike për jetën pas goditjes së rëndë në kokë.

Në çdo rast, policia kufizohet vetëm me njoftime të zakonshme dhe me arrestimin e shoferëve, ndërsa asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi për mungesën e rregullave të qarta mbi përdorimin e monopatinave elektrike. Asnjë strategji, asnjë vendim për kufizimin e përdorimit të tyre nga të miturit, dhe asnjë rregullim ligjor mbi standardet e këtyre mjeteve nuk ekziston.

Krahasimi me vendet e Bashkimit Evropian është i hidhur. Belgjika i konsideron monopatinat një problem serioz sigurie dhe ka alarmuar opinionin publik për rrezikun që paraqesin. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të veprojë sikur asgjë nuk ka ndodhur, duke lënë fëmijët e saj të ecin të pambrojtur në rrugë, mes makinave dhe kaosit urban.

Pyetja është e thjeshtë: Sa fëmijë të tjerë duhet të lëndohen, sa jetë duhet të rrezikohen që qeveria shqiptare të kuptojë se monopatinat nuk janë lodra, por mjete që kërkojnë rregullim të menjëhershëm ligjor dhe masa të forta sigurie?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco