Zjarret vijojnë bëjnë ‘kërdinë’ në Gramsh/ Drejtori i Zonave të Mbrojtura: Po punojmë me kazma e lopata... situatë e vështirë

14:21, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gramshi është duke u përballur me orë të vështira, ndërsa zjarri po djeg pyje, shtëpi dhe bagëti.

Në këtë skenë apokaliptike në ndihmë të forcave të zjarrfikëses kanë ardhur qytetarë dhe efektivë policie.

Ndërkohë drejtori i zonave të mbrojtura, Fatmir Brazhda, ka njoftuar se po punohet për shuarjen e vatrave të zjarrit, në liqenin e Dushkut në Gramsh.

‘Jemi përfshirë të gjithë bashkë për shuarjen e  zjarrit, situata është mjaft e vështirë, terreni është shumë i vështirë. Ne po i fikim me mjete rrethanore zjarrin, me kazma, lopata dhe me pompa për ta izoluar që të mos kalojë në zona të tjera, pavarësisht se rreziku është i pranishëm dhe evident’.

Sakaq oficeri i krimeve, Alfred Zhupani, ka qenë një prej atyre që pavarësisht rrezikut, u hodh në mes të flakëve për të shpëtuar jetë.

Image

Nga fotot e bëra virale në rrjet, Zhupani, mbajti në krahë një grua të moshuar dhe vrapoi mes flakëve të cilat përhapeshin me shpejtësi, pa menduar as për rrezikut, as për lodhjen.

Ndërkohë, zjarrfikësit kanë mundur të neutralizojnë zjarret në fshatin Skëndërbegas aty ku dhe situata paraqitej alarmante përgjatë orëve të fundit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se në ndihmë të zjarrfikësve të zonës kanë shkuar dhe zjarrfikës nga Korça si dhe Pusteci.

Sakaq, banorët në disa fshatra të Gramshit janë duke u kthyer nëpër banesat e tyre. Sakaq situata alarmante thuhet se është në pyjet e Sojnikut dhe Snomsit. Gjithashtu, flakët kanë dalë jashtë kontrollit edhe në malin e Komjanit ku si pasojë e erës dhe bimësisë të thatë zjarri po përhapet me shpejtësi.

Përgjatë ditëve të fundit Gramshi ishte dhe zona e cila u “mbërthye” nga zjarret ku dhe u dogjën 7 fshatra.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco