Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është dënuar me 2 vite burg nga GJKKO.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të mbajtur funksione publike.
Ndërkohë, gjykata ka dënuar edhe Vasillaq Strakoshën me 1 vit e 6 muaj burg.
Pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 1 vit heqje lirie, i pezulluar për një periudhë 2-vjeçare shërbimi prove.
Edhe për Strakoshën, gjykata vendosi ndalim për 5 vite nga funksionet publike.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 127, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Jorgo Goro dhe Vasillaq Strakosha, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, me vendimin nr. 53, datë 30.07.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jorgo Goro, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy ) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Jorgo Goro me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Jorgo Goro për 5 (pesë) vjet.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal, si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Jorgo Goro do të kryhet në një nga institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Vasillaq Strakosha, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një ) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Vasillaq Strakosha me 1 (një) vit burgim.
Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al
Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të pandehurin Vasillaq Strakosha për një periudhë prej 2 (dy) vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Urdhërohet i pandehuri Vasillaq Strakosha të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës pranë vendbanimit të tij.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Vasillaq Strakosha për 5 (pesë) vjet.
Në lidhje me provat materiale, konform nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale, praktikat e sekuestruara enteve përkatëse, të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit, për efekt të procedimit penal të ndarë ndaj të pandehurit Jerasimo Bashi.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në masën 63.653 (gjashtëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tre) lekë, gjatë seancës paraprake dhe gjatë gjykimit (sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi), i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të ekzekutojë këtë vendim.
Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 30.07.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
© SYRI.net