Shqipëria vijon të digjet, teksa në 24 orët e fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri, 17 prej të cilave janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar. Në Qarkun e Dibrës, vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në Zall Gjoçaj dhe në Qafën e Buallit në Bulqizë. Vatrat e zjarrit janë larg zonave të banuara, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse për shuarjen e tyre.
Në qarkun e Vlorës vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, kryesisht në bashkitë Delvinë, Konispol dhe Himarë. Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat janë kthyer problematike gjatë orëve të natës, ku rrezikoheshin banesat dhe u bë i mundur evakuimi i banorëve. Në fshatin Kalas, bashkia Delvinë, ku si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, por pa paraqitur rrezik për banesa, ndërsa u bë i mundur edhe evakuimi i banorëve.
Në Korçë, janë aktive zjarret në Dishnicë dhe Parkun e Prespës, ndërhyrja për shuarjen e tyre vijon nga toka. Një zjarr është dhe në Lezhë, konkretisht në fshatin fAng në Rubik. Zjarri është në lartësinë e shpateve të maleve dhe ndërhyrja për shuarje është e pamundur. Zjarri i rënë në fshatrat e Delvinës është afruar në drejtim të malit të Skërficës në Gjirokastër. zjarri në Fushë-Bardhë-Zhulat është shuar plotësisht.
Zjarre janë regjistruar edhe në alpet e vendit, në fshatin Dragobi ku zjarri ka rënë në shpate malesh në terren shkëmbor dhe me dru halorë. Ndërhyrja nga toka është e pamundur. Në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë, vatra e zjarrit ndodhet në një terren të vështirë, zonë kullotash duke bërë të pamundur ndërhyrja në këmbë. Në qarkun e Tiranës janë aktive dy vatra zjarri, në Fushën e Staneve në Shëngjer dhe në Ibë. Në Shijak është evituar rreziku i banesave nga zjarri i rënë në fshatin Shetel, ndërsa një vatër zjarri është regjistruar dhe në Malsinë e Madhe në kufi me Malin e Zi, në bjeshkën e Rahovicës.
© SYRI.net