Emalinda Rama, 26-vjeçarja e akuzuar për vrasjen makabre të babait të saj Anesti Rama në Fier, ka mohuar përfshirjen në ngjarje gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të hënë.
Ajo dhe nëna e saj, Valbona Rama, kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk kanë dijeni mbi autorin e krimit të ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut, duke këmbëngulur se e kanë gjetur kryefamiljarin të pajetë.
“Nuk dimë asgjë kush e ka vrarë, ne thjesht e kemi gjetur të vdekur”, u shprehën nënë e bijë para gjykatës. Megjithatë, përfaqësuesi ligjor i çështjes theksoi se deklaratat e tyre kanë qenë kontradiktore në raport me ato të dhëna gjatë hetimeve dhe kërkoi shtrimin e tyre në spital psikiatrik për vlerësim.
“Sot e mohuan plotësisht faktin e përfshirjes në vrasjen e shtetasit Anesti Rama. Emalinda është e çekuilibruar dhe i mohon qëndrimet e saj disa herë”, tha avokati i çështjes. Ai shtoi se 26-vjeçarja ka pasur disa fejesa dhe se lidhja e dyshuar me të akuzuarin tjetër, Çlirim Dogani, është mohuar nga vetë Emalinda, e cila ka ndryshuar version disa herë, duke deklaruar së fundmi se marrëdhënia kishte ndodhur një vit më parë.
Nga ana tjetër, vetë Dogani ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se i ka njohur gratë në fjalë vetëm si pasagjere gjatë udhëtimeve me autobus në linjën Arapaj-Fier.
Pas dëshmive dhe shqyrtimit të rrethanave, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Emalinda Rama, nënën e saj Valbona Rama, 53 vjeçe, dhe Çlirim Doganin, 55 vjeç, si të dyshuar për vrasjen e kryefamiljarit Anesti Rama. Hetimet mbi këtë ngjarje tronditëse vijojnë.
© SYRI.net