Dy vatra të fuqishme zjarri kanë përfshirë për rreth 9 orë këtë të hënë, një sipërfaqe të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Belsh dhe Njësisë Administrative Rrasë, duke vënë në rrezik zona të mëdha me bimësi, kryesisht, ullishte dhe sipërfaqe të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 40 hektarë tokë janë përfshirë nga flakët, ku përveç bimësisë së egër është djegur edhe një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj shumëvjeçarë, të një rëndësie të veçantë për bujqësinë dhe ekonominë.
Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës u përballën me një situatë të përkeqësuar nga era e fortë dhe terreni i thepisur, duke punuar pa ndërprerje për më shumë se 9 orë për të izoluar dhe shuar vatrat e zjarrit.
Operacioni përfshiu një forcë të gjerë ndërinstitucionale, të përbërë nga 10 mjete zjarrfikëse ,14 efektivë të MZSH Belsh ,4 efektivë të MZSH Peqin,4 efektivë të MZSH Lushnje,5 efektivë të MZSH Berat 4 efektivë të MZSH Kuçovë,6 efektivë të ushtrisë (Ministria e Mbrojtjes),7 efektivë të Forcave të Armatosura,5 efektivë të Policisë së Shtetit,40 punonjës të shërbimeve publike të Bashkisë Belsh,30 banorë të zonës të angazhuar në mënyrë vullnetare, 2 helikopterë të Emergjencave Civile
© SYRI.net