Zjarri i fuqishëm që shpërtheu dy ditë më parë në zonën e Shkopetit ka avancuar në drejtim të territorit të Bashkisë Mirditë, duke u afruar rreth 2 kilometra nga fshati Lurth. Përhapja e flakëve është përshpejtuar ndjeshëm për shkak të erës së fortë, duke e përkeqësuar situatën në terren dhe duke rritur rrezikun për banorët dhe sipërfaqet pyjore.
Në përballje me flakët janë angazhuar forcat pyjore, grupet e zjarrfikësve dhe njësitë e Emergjencave Civile, ndërkohë që operacionit i janë bashkuar edhe zjarrfikësit e Matit dhe Mirditës. Për shkak të përmasave të zjarrit, në ndihmë janë vendosur edhe trupa të ushtrisë, të cilat po asistojnë në krijimin e brezave mbrojtës dhe evakuimin e mundshëm.
Pas koordinimit me institucionin e Prefektit, në zonë ka mbërritur një helikopter që ka nisur ndërhyrjet nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Autoritetet lokale njoftojnë se po bëhet gjithçka për të mbrojtur jetën e banorëve dhe për të parandaluar përfshirjen e zonave të banuara nga zjarri.
© SYRI.net