Një zjarr i përmasave tëmëdha ka përfshirë malin e Moravës, në afërsi të fshatit Dishnicë, në rrethin e Korçës. Flakët kanë nisur fillimisht në një zonë me shkurre, por për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ato janë përhapur me shpejtësi dhe kanë depërtuar edhe në pyllin përreth.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Policia lokale ka shoqëruar në komisariat një person, i cili dyshohet si autor i zjarrvënies. Mësohet se ai mund të jetë me probleme të shëndetit mendor dhe se mund të ketë pasur raste të mëparshme të zjarrvënies së qëllimshme.
Forcat zjarrfikëse kanë qenë në terren, por për shkak të terrenit të vështirë dhe intensitetit të flakëve, ndërhyrja e plotë është shtyrë për ditën e nesërme. Ato pritet të rikthehen në orët e para të mëngjesit për të izoluar plotësisht vatrat e zjarrit dhe për të shuar flakët.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonës të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo përhapje të mëtejshme të flakëve.
© SYRI.net