Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

EMRI/ Atentati për llogari të mafias turke, kapet vrasësi shqiptar me pagesë në Athinë

EMRI/ Atentati për llogari të mafias turke, kapet vrasësi shqiptar me pagesë në Athinë

15:26, 19/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia greke ka zbardhur atentatin e ndodhur më 13 korrik në lagjen Kolono të Athinës, ku mbetën të plagosur një shtetas turk dhe një polic grek. Në prangat e policisë ka rënë një 22-vjeçar shqiptar nga Vau i Dejës, i identifikuar si Alesio Biba, i cili vepronte si vrasës me pagesë për llogari të mafias turke.

Ngjarja ndodhi në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos”, ku u qëllua me armë zjarri 48-vjeçari turk Volkan Ertas, objektivi i atentatit. Në vendin e ngjarjes u plagos gjithashtu dhe polici grek Dh. P., bashkëshorti i pronares së lokalit, i cili ndodhej aty rastësisht. Autorët qëlluan katër herë me pistoletë ndaj turkut, ndërsa një nga plumbat kapi edhe efektivin grek.

Nga hetimet rezulton se atentati është urdhëruar nga Suleyman Dalgic, një shtetas turk i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ndodhet në burgun e Larisës. Ai është i akuzuar për ekzekutimin e gjashtë shtetasve turq në tetor të vitit 2023 në Artemida, dhe sipas autoriteteve greke, është figurë kyçe e mafias turke “Daltons”.

Volkan Ertas u përfshi në ngjarje pasi ishte thirrur nga Dalgic për të marrë një makinë në këmbim të një borxhi. Sipas dëshmisë së tij, pasi takoi një person të panjohur, ky i fundit i kërkoi ta ndiqte, por duke ndier rrezik, Ertas ndryshoi drejtim dhe hyri në lokal, ku edhe ndodhi atentati.

Autori shqiptar, Alesio Biba, u arrestua pas identifikimit nga dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë. Gjatë ndalimit, ai theu celularin për të fshirë provat, ndërsa në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan arma e krimit, një pistoletë “Grand Power MK7” me municion të plotë, dy krehëra, 29 fishekë, një celular, katër paketa me numra telefonikë, një letër me udhëzime për gjurmues GPS dhe një kartë SIM.

Në dëshminë e tij, Biba pranoi autorësinë e atentatit, duke pohuar se kishte për synim vetëm plagosjen e Volkan Ertas. Ndërkohë, policia greke po heton lidhjet e mëtejshme të tij me rrjetin mafioz turk dhe persona të tjerë të përfshirë në atentat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco