SYRI TV/ Përshkallëzohet zjarri në Borsh, flakët kanë përparuar në zonën e banuar

16:15, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria vijon të jetë e përfshirë nga zjarret në vend.

Zjarri në fshatin Borsh në bashkinë Himarë rrezikoi banesat, ndërsa flakët në fshatin Gorishovë të Fierit vijojnë të jenë intensive. Qindra hektarë sipërfaqe me ullishte, shkurre e bimësi janë shkumbuar nga zjarri.

Përkeqësohet situata me zjarrin në fshatin Borsh në bashkinë Himarë. Njëra nga vatrat e zjarrit është fuqizuar dhe ka përparuar në një zonë të banuar, drejt lagjes Ixuar i Sipërm, afër kalasë, duke alarmuar banorët. Flakët nisën të përhapeshin mesditën e të enjtes dhe kanë vijuar gjatë gjithë natës. Situata është përshkallëzuar mëngjesin e sotëm. Shërbimi zjarrfikës dhe banorë të fshatit po merren me shuarjen e zjarrit.

Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në zonën Drenovë–Gorishovë, njësitë Qendër Dukas dhe Cakran, në bashkitë Mallakastër dhe Fier. Për shkak të terrenit të thyer, erës së fortë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, kontrolli i situatës ka qenë i vështirë. Aktualisht zjarri vazhdon me intensitet në zonat me ullishte të fshatit Gorishovë.
Përveç Borshit dhe Mallakastrës, situatë të rënduar të zjarreve ka edhe në qarkun e Dibrës, konkretisht në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës ku janë dy vatra aktive, njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe tjetra afër kanalit të ujit të HEC-it dhe tjetra në Malin e Dejës.

“Mali i Peladhisë”, pjesë e Bashkisë Bulqizë, ndodhet për ditë me radhë nën flakë ku janë djegur 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Puna për shuarjen e zjarrit vijon ende.
Nga njoftimi i Ministrisë së Brendshme, bëhet me dije se për pasojë janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco