Policia e Sarandës, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ka nisur një operacion kërkimi për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të plagosjes së ndodhur mesditën e sotme.
Të shpallurit në kërkim janë Ramadan Zoto, i njohur edhe me identitetin Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe Erjon Canaj, 35 vjeç. Ramadan Zoto konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Ai ka qenë më parë i dënuar në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa aktualisht ndodhet në proces gjyqësor në Sarandë për akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Sipas burimeve, gjatë aktivitetit të tij kriminal në Greqi, Zoto ka qenë i përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë greke.
Ndërkohë, vëllai i tij, Erjon Canaj, ka një të kaluar problematike me ligjin. Në dhjetor të vitit 2022, ai ka dhunuar një roje në spitalin e Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me dy pistoleta. Pavarësisht këtij rasti, Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm disa muaj më vonë.
Policia është duke vazhduar kërkimet intensive në zonë, ndërsa të dy vëllezërit konsiderohen të armatosur dhe të rrezikshëm. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tyre.
© SYRI.net