SYRI TV/ 'Më thanë që do gjenim drogë...' Zbardhet dëshmia e Petrit Çakrrit për vrasjen e Renis Dobrës! 23 vjeçari mbahej nën vëzhgim

16:15, 17/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Syri TV

Një ditë pas arrestimit nga policia e Dibrës, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka kanë dhënë versionin e tyre para uniformave blu në lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra. Çakrri dhe Bushgjoka kanë mohuar që ato të jenë autor të vrasjes së 23-vjeçarit. Fatjon Bushgjoka ka pranuar që kishte një konflikt me të për shkak të aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve në Gjermani por ka mohuar që t’a ketë vrarë. 

"E kam njohur Rënis Dobrën, po nuk kam lidhje me vrasjen e tij. E kam njohur më Gjermani, kemi shitur drogë bashkë. Kemi bërë për punë të pista të dy"  ka thënë Fatjon Bushgjokaj.

Ndërkohë Petrit Cakrri është shprehur se ka qenë me vëllezërit Bushgjoka por nuk ka marrë pjesë në vrasje dhe nuk ja ka idënë se çfarë ka ndodhur. Sipas Cakrrit ai kishte shkuar në Mat më vellezërit Bushgjoka për të blerë kanabis sativa.  

"Unë pranoj që kam qënë në Burrel, bashkë me vëllezërit Bushgjokaj. Por nuk dija asgjë. Ata me thanë që do gjenim drogë në Madhesh të Burrelit. Me njërin nga çunat kisha njohje. Kam bërë burg me Kristin. Kam mbaruar dënimin rreth muajit prill dhe kam mbajtur kontakte me Kristi Bushgjokën. Unë isha në makinën tjetër dhe nuk më treguan, nuk di gjë se çfarë ndodhi me djalin, në lajme e pashë që ishte vrarë. Ata më thanë ik"

Megjithë dëshmitë e Fatjon Bushgjokës dhe Petrit Çakrrit nga provat që ka mbledhur, policia është e bindur që ata janë autorët. Burime nga hetimi kanë konfirmuar se vrasja e Renis Dobrës ishte planifikuar 3 ditë para se të ndodhtë pikërisht me 5 korrik. Në këtë datë, Aleksandër Bushgjoka ka marrë me qira një makinë në zonën e Rinasit. Pas dy ditësh makina është kthyer nga vëllai i tij, Fatjon Bushgjoka. Fatjoni ka marrë një makinë tjetër një mjet tip Range Rover që është përdorur në ngjarje.

Në të njëjtën ditë dhe Petrit Çakrrani ka marrë më qira një mjet tip Hyndai. Makinat janë kthyer më datë 10, dy ditë pas ngjarjes, madje Bushgjoka dhe Çakrri kanë debatuar me pronarin e makinave pasi kanë tentuar të heqin GPS e tyre.

Gjithashtu nga sekuestrimi i kamerave të sigurisë autorët janë parë 3 orë para ngjarjes në zonë ku dyshohet se kanë ndjekur Renis Dobrën, deri në momentin që e kanë marrë peng dhe e kanë mbytur me litar për t’a hedhur më pas në liqenin e Ulzës. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arrestuar Petrit Çakrrin dhe Fatjon Bushgjokën ndërkohë që janë shpallur në kërkim dhe Aleksandër dhe Kristi Bushgjoka.

Dyshimet e policisë janë se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti për drogë që ka nisur në Gjermani midis Fatjon Bushgjokës dhe Renis Dobrës. Ndërkohë hetimet po vijojnë pasi ka dyshime që janë përfshirë dhe persona të tjerë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco