Fshati Drenovë në Mallakastër vijon të jetë nën pushtetin e flakëve. Prej disa orësh është riaktivizuar vatra e zjarrit, e cila ka rrezikuar puset e naftës dhe nënstacionin elektrik në këtë fshat. Në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse, të ndihmuara nga ushtria dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Zjarre aktive vijojnë gjithashtu edhe në Shkodër e Dibër.
Zjarri në masivin pyjor të Drenovës në Mallakastër vijon të jetë aktiv. Vatra u riaktivizua pasditen e së mërkurës, duke u favorizuar nga erërat e forta. Flakët kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me pyje, ullinj dhe drurë frutorë, përfshirë qershitë që janë të njohura në këtë zonë.
Gjatë natës, flakët kanë rrezikuar nënstacionin elektrik dhe janë afruar pranë një puse nafte. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në terren kanë zbritur 40 trupa të Forcave të Armatosura dhe një helikopter për të ndihmuar zjarrfikësit në përballjen me flakët.
Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, shkoi në fshatin Drenovë, ku pas inspektimit të situatës deklaroi për mediat se është parandaluar përhapja e zjarrit në drejtim të nënstacionit elektrik dhe puseve të naftës.
Ndërsa është përgjegjësi e bashkisë që të ndërhyjë përmes forcave zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve, kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, zgjodhi të akuzojë banorët, duke i cilësuar si zjarrvënës të papërgjegjshëm për flakët në fshatin Drenovë.
Përveç Drenovës, zjarre aktive vijojnë të jenë edhe në qarkun e Dibrës, në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve” dhe në malin e Peladhisë në Bulqizë, si dhe në qarkun e Shkodrës, në zonën e njohur si Qafa e Laçit.
© SYRI.net