Banorët e Kaçinarit në protestë, ja pse kërkojnë anulimin e kontratës për ndërtimin e HEC-it

11:33, 17/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Kaçinar kanë dalë sot në protestë para Prokurorisë së Lezhës, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndalimin e ndërtimit të hidrocentralit (HEC) në zonë. Ata shprehin shqetësime serioze lidhur me ndikimin e projektit mbi mjedisin dhe jetesën e komunitetit lokal.

Në qendër të kundërshtimeve është rrezikimi i burimeve ujore jetike, pasi projekti prek burimet natyrore të ujit të pijshëm, të vetmet burime jetike për komunitetin. Banorët theksojnë gjithashtu dëmtimin e ekosistemit dhe biodiversitetit, pasi devijimi i rrjedhës dhe ndërtimi i hidrocentralit rrezikojnë lumenjtë dhe pyjet e zonës, duke ndërprerë burimet ujore.

Një tjetër shqetësim është mungesa e konsultimit me komunitetin lokal, ku banorët nuk janë informuar dhe as janë përfshirë në procesin e vendimmarrjes. Ata paralajmërojnë edhe një rrezik të madh për jetën dhe jetesën, pasi ndërtimi i HEC-it po kërcënon blegtorinë, bujqësinë dhe jetën normale të banorëve.

Banorët shprehin dyshime për shkelje të mundshme të procedurave ligjore dhe mjedisore në lidhje me projektin. Referuar kontratës koncesionare të nënshkruar më 21 shtator 2015, neni 10 përcaktonte që koncesionari të fillonte punimet brenda 30 ditëve dhe të vendoste në funksion hidrocentralin brenda 48 muajve. Sipas banorëve, këto kushte nuk janë përmbushur.

Në protestë, ata kërkuan:

1. Anullimin e kontratës për ndërtimin e HEC-it në zonën e Kaçinarit.

2. Heqjen e çdo leje ndërtimi për këtë projekt.

3. Mbrojtjen e burimeve ujore si pasuri natyrore me status të veçantë, duke vënë në dukje se kanionet e Kaqinarit janë zonë me mbrojtje të lartë dhe kanë potencial për të u shndërruar në atraksion turistik.

Ata bëjnë të ditur se kanë mbledhur mbi 600 firma në peticion kundër projektit.

Protesta e sotme vjen si shprehje e pakënaqësisë së banorëve për mënyrën se si po menaxhohet ky projekt dhe për mungesën e transparencës nga institucionet përgjegjëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco