'Institucionet po heshtin përballë falsifikimeve dhe shkeljeve ligjore në Kaçinar' – kështu është shprehur kryetari i fshatit Simon, Njësia Administrative Kaçinar, Mirditë, gjatë protestës së mbajtur para Prokurorisë së Lezhës, pas mbylljes së hetimeve për koncesionin e HEC-eve në zonë.
Ai shprehet se, prej një viti prokuroria nuk ka marrë asnjë masë për një kallëzim penal që lidhet me 38 firma të falsifikuara, përmes të cilave një subjekt privat ka përfituar shtyrje të paligjshme lejeje. Në mesin e firmëtarëve figurojnë edhe persona që ndodheshin jashtë vendit në kohën e nënshkrimit.
Kryetari i fshatit Simon denoncoi gjithashtu përshkallëzimin e tensioneve në zonë, përfshirë dhunë ndaj banorëve, të shtëna armësh dhe mungesë reagimi nga autoritetet. Ai akuzoi firmën koncesionare për nxitje të dhunës dhe policinë për bashkëpunim të heshtur, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve që, sipas tij, janë të paligjshme.
Fjala e tij:
Prej 10 vitesh është kuptuar se pak gjëra mund t’i shtohen asaj që tha avokati Logu. Kemi bërë disa herë kërkesa dhe kemi dorëzuar disa dokumente në prokurori. Një prej dokumenteve është një kallëzim penal për 38 firma të falsifikuara, të cilat janë bërë më datë 29.05.2023 nga firma koncesionare. Në këtë dokument figuron emri Fation Hoxha dhe është përpiluar në Kaçinar. Në bazë të këtij dokumenti, firma koncesionare ka marrë një shtyrje të lejes nga Kryeministria. Kur është dhënë kjo leje, afati ishte tejkaluar me mbi 7 muaj, pra leja është dhënë jashtë çdo ligji.
Deri më sot janë bërë 12 muaj nga momenti i kallëzimit penal dhe askush nuk është thirrur për shpjegim. Kallëzimi është bërë nga 6 kryetarët e fshatrave dhe nga banorët që pretendojnë se firmat e tyre janë falsifikuar. Dy nga banorët, emrat e të cilëve janë përfshirë në deklaratën e bërë gjatë dëgjesës publike, janë Nik Kola, djali i kryetarit të fshatit Shperdhazë i cili ndodhej jashtë vendit 15 ditë para se të falsifikohej firma e tij, dhe Gëzim Gjeta, i cili është prej katër vitesh jashtë shtetit.
Pavarësisht gjithë kësaj, askush nuk e ka marrë mundimin të na thërrasë për të na pyetur. Për çdo dokument apo provë të falsifikimit, prokuroria ka zgjedhur ta anashkalojë procesin. Nëse duan dokumentacionin, ne e kemi të disponueshëm dhe e vëmë në dispozicion përmes rrugëve ligjore.
Një tjetër problematikë ka ndodhur në Kaqinar, më datë 10 të muajit: është dhunuar një bashkëfshatar pa asnjë arsye. Më vjen keq ta them, por jam i bindur se ky veprim është nxitur nga firma koncesionare. Ai person nuk do ta bënte kurrë këtë në mënyrë të pavarur, sepse zona e Kaqinarit nuk ka shkuar të marrë tokën apo ujin në Orosh; përkundrazi, ai ka ardhur në Kaqinar.
Më datë 15.04.2025, gjatë një proteste të banorëve, është ndaluar një person me makinën e tij me fenelina, dhe kur kemi dalë në protestë kemi gjetur gëzhoja armësh në vendngjarje. Shefat e komisariateve kanë qenë të pranishëm, por nuk kanë marrë asnjë masë.
Zona është nën kërcënim të vazhdueshëm. Më datë 9 është qëlluar me armë nga Bukmena deri në zonën e Kaqinarit. Punimet vazhdojnë, krimet gjithashtu, dhe çdo natë dëgjohen të shtëna armësh. Nëse qëllimi është të krijohet terror në këtë formë, unë bëj thirrje që askush të mos përlyhet duke filluar nga drejtuesit e policisë. Një subjekt privat nuk mund të ruhet nga Policia e Shtetit, sepse nuk janë bandë. I bëjmë thirrje që të ndalojnë punimet, sepse janë të paligjshme.
© SYRI.net