Fation Bushgjokaj, Kristi Bushgjokaj (Alias), Aleksander Bushgjokaj (Alias), janë tre vëllezërit që dyshohet si autorë të vrasjes së 22-vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet pranë Liqenit të Shkopetit.
Fatjon Bushgjokaj (Alias) raportohet se është arrestuar në Tiranë dhe ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër së bashku me Petrit Çakrraj (Hoxha), po ashtu i dyshuar si autor i vrasjes.

Ndërkohë dy vëllezërit e tij, Kristi Bushgjokaj (Alias) dhe Aleksandër Bushgjokaj (Alias) janë shpallur në kërkim nga uniformat blu.


Petrit Çakrri (Hoxha) dhe 3 vëllezërit Bushgjoka dyshohen si autorët të krimit makabër.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se Renis Dobra pak vite më parë kishte shërbyer si tregtar droge në Gjermani, për llogari të grupit kriminal që drejtohej nga 3 vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja.
Dyshohet se disa herë i riu nuk ka dorëzuar sasinë e eurove të fituara nga shitja e kokainës, duke argumentuar para vëllezërve Bushgjokaj, se drogën e kishte hedhur në rrugë, ujë apo liqen, për arsye se po e ndiqte policia.
Por për mosdorëzimin e eurove, vëllezërit Bushgjokaj kanë dyshuar se Renis Dobra, i ka mashtruar dhe vjedhur shumat financiare. Ndaj në shenjë hakmarje ata kanë vendosur ta vrasin.
Në këtë krim të rëndë, vëllezërit Bushgjokaj kanë përdorur dhe mikun e tyre Petrit Çakrin nga Tropoja, i cili ka marë dy makina me qëra, një “Range-Rover” dhe një “Honday Santa”, të cilat janë përdorur në këtë krim.
Aktualisht të dyja makinat janë sekuestruar nga policia dhe po ekzaminohen nga policia shkencore
RRËMBIMI I RENIS DOBRËS
Natën e 8 korrikut, teksa Renis Dobra, 23-vjeçari nga Mati po i afrohej shtëpisë së tij në fshatin Zenisht, ai u ndalua nga një automjet ku ndodheshin dy persona të veshur me rroba policie.
‘Në Shënjestër’ i përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala, ka zbuluar me detaje se çfarë ndodhi në orët e vona të së martës 8 korrik, bazuar në dëshmitë e personave që qëlluan rastësisht pranë vendit ku ndodhi rrëmbimi i 23-vjeçarit, bazuar në pamjet filmike të nxjerra nga kamerat e sigurisë në rrugën Burrel-Tiranë, të cilat janë administruar nga policia.
Megjithëse autorët u përpoqën të mos linin gjurmë në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renisit, kushëriri i tij që po udhëtonte nga Burreli drejt Zenishtit ka parë nga afër skenën e ndalimit të Dobrës.
Por kushëriri i viktimës Renis Dobra, tha se ai nuk mundi të shquajë në atë errësirë targat e automjetit të ndaluar në rrugë. Po kështu as portretet e personave që e urdhëruan të largohej nga aty.
“Unë nuk arrita të dalloja dot as targën dhe as fytyrat e personave, sepse kishin ndezur dritat e gjata. Pasi telefonova dhe mora dajën te shtëpia e tij, shkuam te policia që të interesoheshim”, tregon ai.
Sipas dëshmisë së dhënë nga babai i Renis Dobrës atë mbrëmje ai e priste të birin në familje. Pasi kishin një darkë familjare dhe po sipas tij rreth orës 21.30, i biri i kishte dërguar një mesazh që po vinte në familje.
Edhe pse është e paqartë se nga po vinte Renisi ndërkohë, apo cili ishte drejtimi që kishte marrë. Ajo që mesa kuptohet tashmë është se autorët kishin informacion të saktë, për faktin që Renis Dobra, atë mbrëmje, po kthehej në familjen e tij në fshatin Zenisht të Burrelit.
Për këtë arsye njëra nga makinat e ka pritur në rrugën Burrel-Tiranë. Dhe pasi e kanë hipur në automjetin e tyre, me siguri në pjesën e pasme të sediljes, automjetin e Renisit mendohet ta ketë udhëhequr një nga personat e pranishëm, pjesë e togës kriminale,
Kjo deri në një pjesë të segmentit, ku më pas trupin e Renisit e kanë marrë dhe e kanë futur në automjetin e tij, të cilin më pas e kanë hedhur në Liqenin e Shkopetit, aty ku edhe u gjet, disa orë më pas.
Në dyshimet e forta se fillimisht ishte qëlluar me plumb, por më pas në mendimin se ishte mbytur nga ushtrimi i një force njerëzore, kjo për shkak të shenjave të gjetura në trupin e tij dhe sidomos në zonën e qafës.
“Vendi ku mendohet se është rrëmbyer 23 vjeçari Renis Dobra, ndodhet vetëm 5 minuta larg banesës së viktimës. Dyshimet e para janë se autorët e kanë mbytur të riun me litar dhe më pas e kanë futur në makinën e tij tip Benz dhe më tej e kanë hedhur në liqenin e Shkopetit.
Por gjatë rrokullisjes së automjetit, trupi i pajetë i Renis Dobrës ka dalë nga makina, ku ka pësuar dëmtime të tjera në kokë dhe në trup”, thuhet në dosjen hetimore.
Çfarë pa kushëriri i tij natën e ngjarjes
Nga të dhënat e dosjes hetimore, mësohet se i fundit që e pa gjallë Renisin ishte një i afërm i tij i cili pavarësisht orëve të vona të mbrëmjes, dhe dritave të gjata të makinës që kishte ndaluar në anë të rrugës, arriti të shquajë makinën e Renisit, teksa ishte e ndaluar vetëm pak metra larg banesës së tij nga një tjetër automjet, nga ku në rrugë dalloheshin dy persona të panjohur për ta.
Që në momentin e parë ata i identifikuan si efektivë policie.
Por ndërsa u përpoqën të mësonin mbi arsyet e ndalimit të njeriut të tyre, njëri prej tyre në formë urdhërore u kërkoi vizitorëve të padëshirur në këtë skenë, që të largoheshin menjëherë nga aty.
“Më datë 8 Korrik unë bashkë me gruan dhe familjen kemi qenë duke udhëtuar nga Burreli drejt fshatit Zenisht. Me të shkuar te vendi i quajtur Kroi i Sucit, unë pashë makinën e Renisit të ndaluar në anë të rrugës.
Ishin ndaluar dhe dy makina të tjera. Ndalova të pyes se çfarë kishte ndodhur. Por njëri nga personat më tha: ‘Vazhdo, vazhdo, largohu shpejt’,” është shprehur kushëriri i viktimës.
Por edhe pse në pamje të parë dukej si një shoqërim i rëndomtë policie, të afërmit e Renis Dobras, dyshuan se diçka nuk shkonte te uniformat dhe mjetet me të cilët të ashtëquajturit efektivë të policisë kishin mbërritur pranë fshatit dhe kishin ndaluar automjetin e njeriut të tyre.
Për këtë arsye ata ngritën alarmin dhe lajmëruan menjëherë babain e 23-vjeçarit, që ndërkohë ishte marrë me makinë dhe ishte larguar gjithmonë në mendimin e parë të atyre që ishin të pranishëm në vendngjarje, në rajonin e policisë.
Prindërit e Renisit të cilët me të mësuar lajmin se i biri mund të ishte ndaluar nga policia, rendën nga fshati Zenisht ku banonin drejt komisariatit të policisë në Burrel, për të mësuar arsyet përse djali i tyre ishte shoqëruar në polici.
Por trokitja në derën e komisariatit, përkoi me një përgjigje aspak të pëlqyeshme për ta. Të cilët mësuan nga posta e policisë në fjalë se nuk kishte pasur asnjë shoqërim qoftë më herët apo në ato orë me gjeneralitetet e të riut, që familjarët pretendonin se ishte ndaluar nga policia.
Sigurisht që ky informacion do të ngrinte menjëherë alarmin si te familjarët por edhe te vetë policia se mund të ishin përballë një ngjarje me një sfond kriminal. Ashtu siç në të vërtetë u mësua në orët në vazhdim.
Ku i pari që rendi në kërkim të fatit të të birit, pa pritur që policia të plotësonte afatin 48 orësh të zhdukjes së një personi, do të ishte Rufati, babai i Renisit i cili po atë natë, pa pritur të agonte mëngjesi, u nis në ndjekje të gjurmëve se ku kishte përfunduar djali i tij.
Gjurmë të cilët e çuan fillimisht në shenjat e një frenimi të fortë në rrugë, që më pas përfundonin në Liqenin e Shkopetit, Aty ku të nesërmen, në një pjesë me bimësi në breg të liqenit, u gjet trupi i pajetë i të riut që ishte zhdukur vetëm një natë më parë, në rrethana të çuditshme, ndërsa automjeti tip ‘Benz’ me të cilin Renisi udhëtonte kishte përfunduar në ujë.
Por që tashmë dyshimet më të forta si nga të afërmit ashtu edhe nga policia, ishin se kishin të bënin me një rrëmbim dhe më pas ekzekutim. Një ngjarje kriminale, e cila me kalimin e orëve, duke u zbardhur dalëngadalë, filloi të bëhej gjithmonë e më shumë makabër.
Ku pavarësisht se në fillim u tha se kishin të bënin me një rrëmbim të organizuar nga njerëz të veshur me rroba policie, detajet e mëtejshme treguan se pasi ishte rrëmbyer, Renis Dobra ishte torturuar dhe më tej mbytur, për t’u hedhur më pas me automjetin e tij në Liqenin e Shkopetit.
Ndoshta me mendimin e autorëve se duke e hedhur në liqen, ngjarja mund të ishte shënuar si një aksident rrugor dhe kësisoj dekompozimi i trupit mund të fshihte edhe gjurmët e torturave në trupin e tij. Gjë që duket se është llogaritur gabim nga ata.
Një “Honda” dhe një “Range Rover” e ndoqën nga pas
Emisioni ‘Në Shënjestër’ në News24, transmetoi pamje ku vërehen lëvizjet që bënë makinat e autorëve para se të mbërrinin pranë Kroit të Suçit, aty ku ndaluan automjetin e Renis Dobrës.
Sipas hetimeve të deritanishme, itinerari i automjeteve të autorëve fillimisht pikaset në Unazën e qytetit të Burrelit, nga ku më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër që lidh këtë qytet me Milotin, apo rrugën e Kombit.
“Bazuar në kqyrjen e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e dyshuar të rrëmbimit të 23-vjeçarit, Renis Dobra, kanë lëvizur në Unazën e qytetit të Burrelit dhe më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër drejt Shkopetit”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ky mund të ketë qenë itinerari i kthimit të autorëve, pasi kanë rrëmbyer Renis Dobrën, duke pasur parasysh se Kroi i Suçit, ndodhet në dalje të qytetit të Burrelit, në aksin që lidh qytetin me atë të Klosit.
Çka të lë të mendosh se ndërkohë rrëmbimi kishte ndodhur dhe makinat tashmë po i drejtoheshin rrugës së vjetër, një pjesë e cila kalon anë liqenit të Shkopetit. Ashtu sikurse policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit.
Aty ku nga pamjet filmike dallohet se në rrugën e vjetër Burrel-Tiranë kanë qarkulluar me shpejtësi njëri pas tjetrit dy automjete. Automjeti i parë që dyshohet se drejtohej nga viktima. Ndërsa autorët e vrasjes e kanë ndjekur nga pas dhe i kanë zënë pritë, duke e ndaluar në rrugë, ku dyshohet se autorët kanë hapur me forcë automjetin e të riut dhe e kanë dhunuar brenda tij.
Ndërkohë fakti që makina e autorëve nuk u ka pa në kthim në këtë aks të lë të dyshosh se itinerari i tyre mund të ketë vazhduar në rrugën e Kombit, ku edhe kanë humbur gjurmët.
Por ajo që kanë vënë re hetuesit, është se autorët kanë qenë të kujdesur për të ruajtur çdo detaj që mund t’i identifikonte në sytë e policisë. Siç është edhe fakti që ata kanë mundur të fshehin targat e tyre. Çka tregon se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar dhe aspak e rastësishme.
Dhe se rrëmbimi i Renis Dobrës ka qenë i menduar në çdo detaj dhe jo një punë apo plan i cili mund t’u ketë dalë duarsh. Siç edhe ndodhi në vazhdim ku ata e hodhën trupin në Liqenin e Shkopetit.
“Hetuesit kanë dyshimet e tyre se autorët u kanë hedhur targave të automjeteve një solucion, kjo me qëllim për të mos i bërë të dallueshëm numrat. Ashtu siç në të vërtetë ka ndodhur, pasi numrat nuk dallohen, por duken në ngjyrë gri”, thuhet në dosjen hetimore.
Në lidhje me automjetet e përdorura, ekspertët thonë se ato kanë qenë dy të tilla. Përkatësisht një automjet ‘Honda’ ngjyrë i bardhë dhe një tjetër ‘Range Rover’, ngjyrë e e zezë.
© SYRI.net