Vendi vijon të jetë nën pushtetin e flakëve. Në 24 orët e fundit janë raportuar 21 vatra nga të cilat 5 janë ende aktive. Zjarri ka djegur sipërfaqe të shumta me ullishte, pisha dhe shkurre.
SYRI TV
Shqipëria vijon të jetë nën pushtetin e zjarreve. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 5 janë ende aktive në zonat pyjore në bashkitë Dibër, Rrogozhinë, Elbasan, Pogradec, Fier.
Këtë të shtunë është aktivizuar zjarri në vendin e quajtur “Ura e Daullasit” në Fier, i cili dyshohet se është shkaktuar nga mbetjet bujqësore nga fermerët e zonës. Flakët dolën jashtë kontrollit duke shkaktuar panik te banorët duke rrezikuar edhe shtyllat elektrike. Ndërkohë prej disa ditësh vijon ende zjarri në Dibër, në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë” ku deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 19 hektarë me bimësi.
Po në këtë qark, një tjetër vatër zjarri ka përfshirë vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, duke djegur deri tani 30 ha sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Zjarri në Zambish në bashkinë Rrogozhinë vijon të jetë aktiv, ndërsa janë djegur rreth 20 ha. Vendi i quajtur “Mal Plak”, në Qarkun e Elbasanit është përfshirë nga zjarri duke djegur një sipërfaqe pyjore. Ndërkohë në fshatin Udënisht, të Pogradecit, është riaktivizuar zjarri i rënë në një sipërfaqe me pyll pishe dhe shkurre. Gjithashtu në këtë zonë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe dhe 20 rrënjë ullinj.
© SYRI.net