U përcoll për në banesën e fundit kapiteni Arben Anamali, i cili u mbyt në liqenin e Shkodrës, teksa shpëtonte jetën e disa turistëve.
Bashkëshortja e tij, mes lotësh, tha se kjo është një dhimbje e madhe për familjen, ndërsa rrëfeu momentin kur u njoftua për lajmin e hidhur.
Kapiteni Arben Anamali, 50 vjeç, u mbyt në liqenin e Shkodrës ndërsa përpiqej të shpëtonte disa turistë që kishin rënë në ujë. Ceremonia e varrimit u zhvillua këtë të premte, ku familjarë, të afërm dhe qytetarë të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit.
Mes dhimbjes, bashkëshortja e tij, Najada Anamali, u shpreh se humbja është e pariparueshme dhe se Arbeni ishte një njeri i jashtëzakonshëm që gjithmonë vinte të tjerët para vetes.
Nipi i të ndjerit, i prekur thellë nga humbja e dajës së tij, kërkoi që Arben Anamali të nderohet si hero, pasi humbi jetën duke shpëtuar të tjerët.
Trupi i Arbenit u gjet pas 48 orësh kërkimesh në ujërat e liqenit të Shkodrës, në ditën e tretë të operacionit të kërkimit.
© SYRI.net