Trafik njerëzor për prostitucion, krime e lypje/ Europol: Arrestohen 158 trafikantë, shpëtohen mbi 1 mijë viktima

Trafik njerëzor për prostitucion, krime e lypje/ Europol: Arrestohen 158 trafikantë, shpëtohen mbi 1 mijë viktima

11:32, 11/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka çuar në shpëtimin e 1 194 viktimave të mundshme dhe arrestimin e 158 të dyshuarve. Gjatë hetimeve të mëtejshme janë identifikuar edhe 205 trafikantë të tjerë të dyshuar. Operacioni kishte në fokus trafikimin për qëllime shfrytëzimi seksual, kriminaliteti të detyruar dhe lypjeje të detyruar, me vëmendje të veçantë ndaj viktimave të mitura.

Këtë vit, operacioni i koduar "Global Chain" u zhvillua nga 1 deri më 6 qershor 2025, nën drejtimin e forcave të rendit në Austri dhe Rumani, me bashkërendim dhe mbështetje nga Europol, Frontex dhe INTERPOL. Qëllimi ishte zbulimi dhe çmontimi i grupeve të krimit të organizuar dhe individëve të vlerës së lartë kriminale, përgjegjës për shumicën e rasteve të trafikimit të njerëzve, si dhe konfiskimi i pasurive kriminale dhe nisja e hetimeve të mëtejshme.

Në operacion u përfshinë afro 15 000 oficerë nga 43 vende të ndryshme, përfshirë policinë, rojet kufitare, inspektoratet e punës, si dhe autoritetet tatimore e doganore. Viktima të mundshme u raportuan nga 64 vende të ndryshme, kryesisht nga Rumania, Ukraina, Kolumbia, Kina dhe Hungaria. Viktimat ishin shpesh të trafikuara përtej kufijve e kontinenteve, duke treguar natyrën globale të këtij krimi.

Shumica e viktimave të shfrytëzimit seksual ishin gra dhe të rritura, ndërsa të miturit shpesh përdoreshin për lypje apo aktivitete kriminale si vjedhje me xhep. Në shumë raste, shfrytëzimi vinte nga vetë anëtarët e familjes.

Disa nga pikat kryesore të operacionit:

Austri: U arrestuan 7 trafikantë (1 hungarez, 6 rumunë) dhe u shpëtuan 8 gra. Viktimat rekrutoheshin me metodën "lover-boy" dhe detyroheshin të prostituonin, mashtronin klientët apo t’i vidhnin ata.

Rumani: U kryen kontrolle në banesa, u thirrën 11 dëshmitarë dhe u arrestuan 9 persona për trafikimin e 8 fëmijëve të moshës 7-15 vjeç për lypje të detyruar.

Itali: U kontrolluan qendra masazhi, u identifikuan 75 viktima nga Rumania, Kina dhe Kolumbia. U sekuestruan drogë dhe armë, ndërsa 1 italian u arrestua për trafikim dhe 5 persona të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Maltë: U shpëtuan 3 viktima kolumbiane, të mashtruara me premtim për punë si pastruese, por më pas u detyruan të prostituonin. U arrestua një shtetas italian.

Shqipëri: U shpëtuan 3 gra kineze, të rekrutuara në Dubai dhe sjellë në Shqipëri për shfrytëzim seksual në një qendër masazhi. 1 trafikant u arrestua dhe 1 tjetër u shpall në kërkim.

Greqi dhe Mal i Zi: U arrestuan disa persona që shfrytëzonin fëmijët apo të afërmit e tyre për lypje. Disa viktima ishin të moshës 2-3 vjeç.

Hungari: Një vajzë 15-vjeçare ishte detyruar të prostituonte nga familja e saj, që merrte pjesën më të madhe të të ardhurave të saj. Babai i saj u arrestua dhe ajo u strehu në një institucion për fëmijë.

Bosnje dhe Hercegovinë: U shpëtua një vajzë e mitur që po detyrohej të martohej pa dëshirën e saj. U identifikuan edhe 13 viktima të shfrytëzimit seksual (9 nga Kina, 4 nga Brazili) dhe u arrestuan 3 trafikantë.

Ukrainë: Një operacion nën mbulim zbuloi një rrjet trafikimi për qëllime shfrytëzimi seksual në Berlin. Një grua ukrainase u arrestua dhe u gjetën prova për reklama seksuale në internet.

Brazil: U çmontua një rrjet trafikimi që dërgonte viktima në Mianmar me premtime të rreme për punë.

Tajlandë: U shpëtuan 2 të mitura (14 dhe 17 vjeç) dhe u arrestuan 12 persona, 7 prej tyre për trafikim.

Sequestrime të rëndësishme:

277 669 euro në para cash

1 ton kanabis

899 njësi narkotikësh të tjerë

30 armë zjarri

15 komponentë eksplozivë

65 dokumente të falsifikuara

5 prona të sekuestruara

Një përgjigje ndërkombëtare për një kërcënim ndërkombëtar

Operacioni u koordinua nga Europol, Frontex dhe INTERPOL, duke rezultuar në 182 hetime të reja ndërkombëtare. U krijua një qendër koordinimi në selinë e Frontex në Varshavë, me pjesëmarrjen e 33 vendeve.

Europol ofroi mbështetje 24/7 për analizën dhe verifikimin e të dhënave, ndërsa INTERPOL kontribuoi me qasje në bazat e të dhënave dhe ndihmë hetimore.

Gjatë operacionit u kontrolluan:

924 392 persona

842 281 dokumente

181 954 automjete

5 745 fluturime dhe anije

20 783 vende/lokacione

Operacioni "Global Chain" u zhvillua në kuadër të Platformës Evropiane Shumëdisiplinore kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), me mbështetje financiare nga projekti I-FORCE i INTERPOL-it, Zyra e Jashtme Gjermane dhe projekti EU4FAST për Ballkanin Perëndimor.

Vendet pjesëmarrëse

Austria, Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Bullgaria, Kolumbia, Kroacia, Qipro, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Kosova*, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Tajlanda, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Vietnami.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco