Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme zonat kodrinore të fshatit Gose në Kavajë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Flakët, të përhapura me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, kanë përfshirë ullishtet e zonës, ku raportohet se janë djegur mbi 1000 rrënjë ulliri.
Zjarri ka arritur të prekë edhe disa banesa, ndërsa shërbimet zjarrfikëse nuk kanë mundur të ndërhyjnë në kohë. Sipas banorëve, deri tani zjarrfikësit kanë arritur vetëm në një pikë të zonës, por nuk kanë mundur të japin ndihmë efektive për shkak të vështirësive në terren.
Përballë rrezikut, banorët e fshatit kanë marrë vetë masa për të lokalizuar flakët, duke përdorur mjete rrethanore për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. Situata mbetet e tensionuar dhe nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dëmeve.
© SYRI.net