Sherr masiv në lokal në Librazhd/ 4 vëllezër rrahin 5 persona, 2 në pranga, 2 në kërkim! Procedohet edhe kamarierja...

Sherr masiv në lokal në Librazhd/ 4 vëllezër rrahin 5 persona, 2 në pranga, 2 në kërkim! Procedohet edhe kamarierja...

13:59, 10/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një sherr i dhunshëm mes katër vëllezërve dhe pesë shtetasve të tjerë ka ndodhur më 9 korrik në ambientet e një lokali në fshatin Dragostunjë, Librazhd. Policia e Elbasanit bën të ditur se konflikti, që nisi për motive të dobëta, u përshkallëzua në dhunë fizike me grushte dhe sende të forta, por ndërhyrja e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd parandaloi situatën nga përkeqësimi i mëtejshëm.

Si rezultat i hetimeve, janë arrestuar në flagrancë dy nga autorët, I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç, të dy vëllezër, të cilët akuzohen për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Prishja e qetësisë publike". Dy vëllezërit e tjerë, V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç, janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Nga hetimet paraprake rezulton se të katër vëllezërit kanë dhunuar pesë shtetas të tjerë: A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe kamerierja e lokalit, shtetasja E. G., 50 vjeçe, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke prishur provat, çka përbën veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco