Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka miratuar kërkesën e SPAK për të vënë në dispozicion të avokatëve vetëm pjesë të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, që lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet e përfshira në dosjen “Plumbi i Artë”. Kërkesa e avokatëve për të pasur akses në dëshmitë e plota, që përfshijnë edhe ngjarje të tjera, u rrëzua nga gjykata.
Sipas gazetarit të SYRI TV, Fatjon Gjinaj, ky vendim shkaktoi reagimin e fortë të tre avokatëve: Gentian Rumano, që mbron Henrik Hoxhën, si dhe Elda Zotaj dhe Aldo Shkëmbi, që përfaqësojnë Altin Ndocin. Ata kërkuan përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese dhe ndërprerjen e procesit, derisa një gjyqtar tjetër të shqyrtojë kërkesën për përjashtim. Megjithatë, jo të gjithë avokatët mbështetën këtë lëvizje, duke kërkuar vijimin e procesit, që prej disa seancash ka mbetur në vend.
Prokurorja Doloreza Musabelliu i kërkoi gjykatës të mos ndalojë procesin, ndërsa seanca u shoqërua me debate të forta mes prokurorit Behar Dibra dhe avokatit Gentian Rumano. Ky i fundit braktisi sallën në mënyrë demonstrative, duke detyruar shtyrjen e seancës.
Në këto rrethana, GJKKO vendosi të shtyjë seancën për datën 15 korrik, ora 10:00, dhe pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit. Po ashtu, kjo seancë ishte parashikuar të shënonte fillimin e dëshmisë së bashkëpunëtorit të tretë të drejtësisë në këtë proces, Skerdi Tase.
© SYRI.net