Ekspertiza zyrtare e mjekësisë ligjore në Tiranë ka konfirmuar se shkaku i vdekjes së 23-vjeçarit Renis Dobra nga fshati Zenisht i Matit është asfiksia nga litari. Trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit mëngjesin e së mërkurës, disa metra larg ujit, duke përjashtuar kështu mundësinë e mbytjes aksidentale.
Sipas ekspertëve, vdekja ka ndodhur para se makina e Dobras të dilte nga rruga dhe të përfundonte në ujë. Renis Dobra ishte raportuar i zhdukur mbrëmjen e së martës, pas një rrëmbimi pranë banesës së tij në rrugën nacionale Burrel–Rrëshen. Babai i tij dha alarmin në polici, por fatkeqësisht i riu u gjet pa jetë vetëm disa orë më vonë.
Deri tani, policia nuk ka shoqëruar persona të dyshuar, ndërsa hetimet po vijojnë në disa pista. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 23-vjeçari nuk kishte precedentë penalë apo konflikte të mëparshme.
Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet po bëjnë përpjekje për të zbardhur shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje tragjike.
© SYRI.net