Ishte shpallur i zhdukur nga familja, por pak orë më vonë ai është gjetur i pa jetë në fshatin Madhesh të Matit. 23 vjeçari Renis Dobra u gjet i shtrirë pranë brigjeve të liqenit të Shkopetit, ndërsa në trupin e tij janë konstatuar shenja të dukshme dhune.
Burime bëjnë me dije se i riu kishte një mavijosje në pjesën e qafës, ku dyshohet se ai fillimisht është mbytur dhe për të fshehur gjurmët, autorët e kanë futur në makinë e tij dhe më pas e kanë hedhur në liqen, por gjatë rrokullisjes makina e ka nxjerr trupin jashtë duke e lënë në breg.
Familjarët e 23-vjeçarit, Renis Dobra, fillimisht kishin dyshuar se i riu ishte ndaluar nga policia dhe ishin paraqitur në Komisariat për të marrë informacion, por pasi u informuan se ai nuk ndodhej në ambiente policore, nisën kërkimet me ndihmën e efektivëve të rendit. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor.
Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. E para lidhet me një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis, ndërsa pista e dytë ka të bëjë me një konflikt të mundshëm për motive xhelozie apo lidhje sentimentale. Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë, dhe njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.
© SYRI.net