SYRI TV/ Banorët e Thethit përplasen me policinë, dhuna policore s’kursen gratë e të moshuarit

17:08, 09/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pronarët e bujtinave  në Theth janë përplasur me efektivët e policisë së shtetit pasi protestuan për mbrojtjen e pronarëve të tyre.

Në përpjekje për të ndaluar hyrjen e mjeteve të IKMT për shembjen e strukturave akomoduese, banorët bllokuan rrugën ndërsa paralajmëruan se do ti mbrojnë me jetën e tyre. Ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndalojë aksionin, pasi po i shkatërron të ardhmen duke i nxjerrë në rrugë të madhe.

Banorët e fshatit  të Thethit janë dhunuar dhe përplasur fizikisht me punonjësit e policisë së shtetit pasi kundërshtuan aksionin e IKMT për shembjen e bujtinave të tyre të ndërtuara për të pritur turistë.

Urdhri i kryeministrit Edi Rama dhe aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për prishjen e ndërtimeve pa leje ka ndezur tensione të forta në këtë zonë . Dhuna policore nuk ka kursyer as gratë dhe të moshuarit.

Këtë të mërkurë banorët e zonës bllokuan hyrjen e urës për në fshatin e Thethit duke formuar një kordon për të ndaluar hyrjen e forcave të IKMT dhe Policisë së Shtetit. Situata ka agravuar në përplasje fizike, ku disa banorë janë përpjekur të ndalojnë me trup ndërhyrjen e mjeteve të rënda.

Banorët deklarojnë se ndërtimet janë struktura të përkohshme prej druri, të ngritura në tokat e tyre private dhe pa cënuar hapësira publike. Një prej pronarëve me aftësi të kufizuar, me lot në sy, rrëfen se ka investimin e ka bërë me kredi dhe i bën apel kryeministrit që të ndalojë shembjet. Teksa ndihet i pa shpresë ai bllokon fadromat duke paralajmëruar deri në vetëflijim.

Pronarët shprehen se shteti nuk ka investuar asgjë në zonë ndër vite dhe se janë vetë ata që e kanë zhvilluar turizmin në Theth. Ata paralajmërojnë se do të detyrohen të anulojnë prenotimet e turistëve, pasi strukturat e tyre po shemben pa paralajmërim.

Në mbështetje të banorëve ka mbërritur edhe deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, e cila u ka bërë thirrje forcave të rendit që të ndalojnë dhunën dhe të respektojnë të drejtën e qytetarëve për pronën.

Aksioni ka prekur edhe turistët e huaj që po qëndronin në këto struktura. Të zhgënjyer nga situata, disa prej tyre janë larguar para kohe, ndërsa të tjerë janë solidarizuar me banorët dhe kanë marrë pjesë në protestë. Investime e banorëve në këtë zonë kanë marrë vrull pas vizitës së kryeministrit në fshatin e tyre gjatë periudhës së fushatës ku i premtoi legalizim të ndërtimeve por pas zgjedhjeve, urdhëroi shembjen e kujtimeve.

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco