Shqipëria është në pushtetin e flakëve, pasi për 24 orë janë regjistruar 25 vatra zjarri, ku 4 janë aktive.
Zjarri në Dukat është përhapur me shpejtësi dhe rrezikon Parkun e Llogarasë, ndërsa zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës është i vështirë për t’u izoluar dhe rrezikon djegien e këtij parku.
25 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Finiqit, Vlorës, Selenicës, Elbasanit, Prrenjasit, Poliçanit, Bulqizës, Dibrës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Tiranës, Kamzës, Vorës, Durrësit, Kurbinit, Pogradecit e Korçës. Aktualisht mbeten aktive vatrat në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Janë djegur qindra hektarë pyje, teksa zjarri rrezikon edhe Parkun e Llogarasë.
Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, zjarri vijon të jetë aktiv. Edhe pse forcat operacionale punuan deri në orët e vona, nuk u arrit izolimi i tij. Në mbështetje të forcave sot do të operojë edhe helikopteri i Forcës Ajrore. Në monitorim mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.
Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinjë në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Terreni është i vështirë dhe i largët, ndaj po punohet me mjete të kalueshmërisë së lartë. Në dy raste, zjarret janë evidentuar në banesa dhe një në një godinë biznesi, ku si pasojë ka pasur dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e zjarreve të rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte, janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi.
Sot pritet nivel rreziku “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, në formë shtrëngate, në qarkun Shkodër.
© SYRI.net