Policia Kufitare e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër ka finalizuar operacionin policor të koduar “Borders”, duke goditur një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në pranga ka rënë një shtetas azerbajxhanas, 27 vjeç, me inicialet N. M., i cili u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Hotit”, në fshatin Kastrat, teksa shoqëronte katër shtetas nga Afganistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit tokësor drejt Malit të Zi.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, policia i gjeti dhe i sekuestroi një thikë.
Sipas hetimeve paraprake, 27-vjeçari dyshohet se kundrejt pagesës, ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër
Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të kufijve, në mënyrë të paligjshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders”.
Ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 27-vjeçari, shtetas azerbajxhanas.
27-vjeçari u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Hotit”, në fshatin Kastrat, duke shoqëruar 4 shtetas nga Afganistani.
Gjatë kontrollit fizik, 27-vjeçarit iu gjet një armë e ftohtë (thikë).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi azerbajxhanas:
N. M., 27 vjeç, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Malin e Zi, kundrejt pagesës.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net