SYRI TV/ Policia aksion për lirimin e hapësirave publike, aksioni në Pogradec, Velipojë, Sarandë

16:23, 07/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas urdhrit të Edi Ramës, Policia Bashkiake dhe Agjencia e Mbrojtjes së Territorit kanë zbarkuar në terren në të gjithë vendin. Në Pogradec, policia ndërhyri për largimin e çadrave dhe tavolinave të vendosura nga lokalet. Ky veprim u kundërshtua nga pronarët, të cilët thanë se nuk kanë marrë asnjë paralajmërim zyrtar dhe se çdo vit kanë paguar taksat përkatëse në bashki. Aksione për lirimin e hapësirave publike u zhvilluan edhe në Velipojë e Sarandë, ku pati edhe disa persona të proceduar penalisht.

Pas urdhrit të Ramës për lirimin e hapësirave publike, institucionet shtetërore zbarkuan në terren në të gjithë vendin, përfshirë Policinë Bashkiake, Agjencinë e Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektoratin e Ndërtimit.

Të hënën, në qytetin e Pogradecit, punonjësit e bashkisë ndërhynë për largimin e tavolinave dhe çadrave të vendosura në trotuar nga bizneset e vogla. Aksioni nisi në lagjen “Europa”, në mes të ditës, duke larguar edhe qytetarët që ndodheshin në ato ambiente në atë moment.

Pronarët e bizneseve u përplasën me drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Pogradec, Markel Hafesllari. Ata deklaruan se posedojnë dokumentacionin që vërteton pagesat e taksave çdo vit në bashki.

Edhe në Velipojë, Policia Bashkiake ndërhyri për lirimin e hapësirave publike. Dy persona u proceduan penalisht, pasi në rrugën nr. 9 kishin ndërtuar një objekt me konstruksion metalik, për përfitime ekonomike, pa leje nga organet kompetente.

Inspektorët zbarkuan edhe në Sarandë, për lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare. Policia procedoi penalisht një të moshuar, e cila kishte zënë plazhin publik në Sarandë, duke vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi, pa qenë e pajisur me lejen përkatëse nga autoritetet.

Policia e Shtetit bëri me dije se janë liruar 9 hapësira publike, 8 prej tyre në Vlorë dhe 1 në Shkodër, që shfrytëzoheshin në mënyrë të paligjshme, kryesisht për parkim kundrejt pagesës. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 14 shtetas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco