Operacioni ‘Ura’ është zhvendosur në Belgjikë së fundmi, ku forcat e Policisë shqiptare, italiane dhe ato belge, kanë vënë në pranga një nga personat e akuzuar për trafik droge, në kuadër të grupit kriminal të Troplinëve.
Policia e Shtetit bën të ditur se shtetasi Gertini Aliu, 44 Vjeç, është i akuzuar nga Prokuroria e Barit, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë që në vendin tonë SPAK ka lëshuar 29 urdhërarreste dhe kemi ende persona në kërkim, ndërsa pak ditë më parë për Genti Ndernjaku, Ekil Ndërjakun dhe Ergis Detin gjykata ka dhënë ok për ekstradimin drejt Italisë.
Urdhërarrestet e firmosur për shqiptarët në kuadër të operacionit 'Ura'
Elvis Doçi (Visi i Pojës)
Indrit Tafil
Orget Shqevi
Artan Sulejmani
Orges Molla – I arretuar në Shqipëri
Sueld Elezi
Genti, alias Ekil Nderjaku - I arretuar në Shqipëri
Hasan Nderjaku
Altin Morina – I arrestuar në Shqipëri
Armand Tragaj - Në masë ‘detyrim me paraqitje’
Rando Aliu – I arrestuar në Shqipëri
Musa Korça – I arrestuar në Shqipëri
Alfred Hysa - I arrestuar në Shqipëri
Altin Pjetri - I arrestuar në Shqipëri
Ligor Çombashi - I arrestuar në Shqipëri
Edmond Çupi
Naim Behluli
Edison Cukaj (Çukaj)
Serxhio Shkodra
Bexhed Mema – Në masë ‘detyrim me paraqitje’
Emri Hysenaj
Artuar Shkoza
Sokol Isteri – alias Tatani I arrestuar në Shqipëri
Ervin Zeqiri - I arrestuar në Shqipëri
Gezim Thartori - I arrestuar në Shqipëri
Ledio Bardhi
Juxhin Drazhi
Erind Lasku
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Shtetit/Vijojnë bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “Ura”.
Kjo fazë e operacionit, rezultat i punës së përbashkët të FAST Albania, FAST Italisë dhe FAST Belgjikës, me koordinimin e rrjetit ENFAST.
Lokalizohet dhe kapet në Belgjikë, një shtetas i akuzuar nga Prokuroria e Barit, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit policor ndërmjet homologëve të njësive të specializuara FAST, në vijim të operacionit “Ura”, Policia belge arrestoi në Belgjikë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, G. A., 44 vjeç.
Prokuroria e Barit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Si u godit organizata e Xhevdet Troplinit?
Organizata me shtrirje ndërkombëtare u zbulua nga autoritetet italiane, pas një hetimi të thelluar të udhëhequr nga Prokuroria e Antimafias në Bari, në bashkëpunim me SPAK-un shqiptar dhe autoritetet gjermane.
Në qendër të hetimit nga autoritetet italiane janë 28 persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë dhe kokainë, me origjinë nga Shqipëria dhe Holanda, të destinuara për tregun italian. Bashkë me numrin e personave nën hetim në Shqipëri, numëri total i urdhër-arresteve është 52.
Sipas dosjes hetimore, organizata kishte si drejtues kryesor shtetasin Xhevdet Troplini. Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë Adi Çoba dhe Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”.
“Organizata, me bazë në qytetet italiane si Bari, Brindisi, Leçe dhe Mola di Bari, kishte ndarë funksionet mes pjesëtarëve të saj, përfshirë transportimin, ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në tregun italian. Përfitimet ekonomike që burojnë nga aktivitetet e paligjshme dërgoheshin në mënyrë të fshehtë në Shqipëri”
Një element kyç në zbardhjen e aktivitetit të kësaj organizate kriminale ka qenë dëshmia e të penduarit të drejtësisë shqiptare Nuredin Dumani, një person i njohur për lidhjet e tij në botën e krimit në Shqipëri.
Dumani, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK, ka dhënë dëshmi të detajuara mbi funksionimin e organizatave kriminale në të cilat ka qenë i përfshirë, përfshirë dhe lidhjet me grupin e Troplinit.
Rrëfimi i tij ka ndihmuar në ndërtimin e një panorame të qartë mbi trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirjen e disa personave kyç, itineraret e përdorura për transportin e lëndëve narkotike dhe metodologjinë e shpërndarjes. Informacionet e siguruara prej tij janë përdorur nga autoritetet italiane dhe kanë ndikuar në përforcimin e akuzave kundër disa prej të dyshuarve.
Ndër personat e tjerë të përfshirë në dosjen italiane Erigels Presi, Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Leonard Shakaj, Zenit Shtraza, Indrit Tafili, Ekil Nderjaku, të cilët dyshohen për role të ndryshme brenda organizatës kriminale.
Operacioni mbulon një periudhë kohore nga viti 2016 deri në qershor të vitit 2022 dhe përbën një nga ndërhyrjet më të mëdha të koordinuara kundër trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
© SYRI.net