SYRI TV/ Jepet pretenca për 13 të pandehurit, mashtronin shtetasit gjermanë. Vodhën 7 mln euro

15:45, 15/04/2024
A+ Aa A-

SPAK kërkon dënimin me burg për 13 të pandehurit e akuzuar për mashtrimin me vlerë 7 milionë euro nëpërmjet Call Center. Të arrestuarit akuzohen se mashtruan shtetasit gjerman, nëpërmjet bazave që ndodheshin në Tiranë. Si drejtues i kësaj skeme është konsideruar Erjon Kasmi për të cilin kërkohet dënimi me 9 vite burg dhe Xhulian Xhafa, që SPAK kërkon dënimin me 8. 6 vite burg. Kompanitë mes të cilave kryehej mashtrimi, rezultonin lidhje e biznesmenit Amant Josifi, që ndodhet në kërkim ndërkombëtar nga Spanja.

Nga Syri TV

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për 13 të akuzuar për mashtrim me vlerë rreth 7 milion euro të shtetasve gjermanë përmes call center-ave.  SPAK kërkoi këtë të hënë dënimin me 9 vite heqje lirie për Erjon Kasmin, që konsiderohet personi kyç në grupin kriminal, i akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe për krijim të grupit të struktura kriminal, Për Xhulian Xhafën i akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kërkohet dënimi me 8 vjet e 6 muaj. Ndërkohë për 11 të arrestuarit e tjerë të akuzuar për “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal”, prokuroria ka kërkuar dënimin me burg por të konvertuar në shërbim prove.

Pretenca e SPAK parashikon përllogaritjen e zbritjes së 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Organi i akuzës ka sekuestruar më herët disa llogari bankare mes te cilave shumën prej 588 mijë euro në emër të Erjon Kasmit si dhe 20 milionë lekë në emër të Xhulian Xhafës.

Gjithashtu një tjetër llogari me shumën e 1.5 milionë eurove iu sekuestrua Erjon Kasamit në Kosovë. Sekuestro preventive është vendosur edhe 9 apartamente, 3 garazhde, 2 ndërtesa dhe 5 sipërfaqe toke me rreth 6 mijë metra katror tokë. Por organizatorët e kësaj skeme rezultojnë jo pak të dëgjuar apo të përfolur edhe për lidhjet e tyre me pushtetin.

Xhulian Xhafa, i konsideruar nga SPAK si organizatori i kësaj skeme mashtruese, për dy vite me radhë ka qenë ortak biznesi po në skemat e Call Center me Erind Bejkon, një prej drejtorëve kryesorë të Erion veliajt në Bashkinë e Tiranës. Në vitin 2015, Xhulian Xhafa, Erind Bejko dhe Olsi Dranga themeluan kompaninë e Call Center, Leader Contact Center.

Kjo kompani ushtroj aktivitetin deri në vitin 2017, dhe sipas të dhënave nga qendra kombëtare e Biznesit, në maj të 2017, kompania u pezullua. Gjithashtu nga të dhënat që kanë dalë në dritë për publikun, rezulton se qendrat përmes të cilave funksiononte ky aktivitet, janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, në kërkim ndërkombëtar të drejtësisë spanjolle. Emri i të cilit ndonëse doli në hetimet e përbashkëta me SPAK, kjo e fundit tha se e kishte marrë përsipër pala homologe. Josifi ishte këshilltar politik i Olta Xhaçkës gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

PRETENCA PËR 13 TË PANDEHURIT:

Erjon Kasmi - 9 vite burg

Xhulian Xhafa  - 8 vite e 6 muaj.

Anduel Gjergji - 3 vite shërbim prove

Ariol Zenuni - 3 vite shërbim prove

Denada Bardhi - 2 vite shërbim prove

Emion Orizaj - 3 vite shërbim prove

Ermir Shehu - 3 vite shërbim prove

Eris Kurila - 3 vite shërbim prove

Evis Mahmutaj - 3 vite shërbim prove

Ilir Shkurti - 2 vite shërbim prove

Indrit Tila - 2 vite shërbim prove

Klevin Molla - shërbim prove

Skerdi Llupi - shërbim prove

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco