Merren të pandehur 5 mjekë të Fierit, akuzohen për vdekjen e pacientit Bledar Sherifaj

17:16, 27/11/2023
A+ Aa A-

 

5 mjekë të spitalit Rajonal në Fier janë marrë të pandehur, për neglizhencë të trajtimit mjekësor, që solli vdekjen e shtetasit Bledar Sherifaj.

Ai ndërroi jetë 3 vite më parë në autoambulancën që e transportonte nga Fieri drejt Vlorës, teksa familjarët hodhën akuza mbi bluzat e bardha.

Syri TV

 

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet duke marrë të pandehur 5 mjekë të spitalit Rajonal të këtij qyteti për veprën penale “Neglizhencë e trajtimit mjekësor”, me pasojë vdekjen e shtetasit Bledar Sherifaj.

Organi i akuzës ka dërguar dosjen për gjykim në ngarkim të mjekes së përgjithshme Ledjusa Muhametaj, mjekut Enton Dore, mjekut psikiatër Agim Sulaj, mjekut gastro-hepatolog Aleks Sulejmani dhe mjekut infeksionist Ndriçim Bala.

Bledar Sherifaj ndërroi jetë në prill të vitit 20 në autoambulancën që ishte nisur nga Fieri në drejtim të Vlorës.  Hetimet konstatuan një sërë shkeljesh dhe neglizhencë nga ana e stafit mjekësor, pasi i ndjeri sipas Prokurorisë nuk është hospitalizuar dhe nuk marrë trajtimin e duhur mjekësor, duke e transportuar nga Vlora në Fier dhe nga Fieri në Vlorë.

“Kjo kohë dhe moskujdesi mjekësor, solli vdekjen e pacientit në ambientet e ambulancës, teksa udhëtonte nga Fieri për të shkuar në spitalin e Vlorës me qëllim marrjen e mjekimit. Nga dokumentacioni i administruar në kartelën mjekësore pranë spitalit Rajonal të Vlorës, rezulton se shtetasi Bledar Sherifaj ka shkuar i vdekur në ambientet e këtij spitali…”-, thotë Prokuroria në dosjen hetimore.

Më datë 26 prill 2020 Sherifaj ndodhej në oborrin e spitalit të Fierit pasi kishin mbërritur për vizitë familjarë, i ka rënë të fikët dhe e kanë dërguar në spitalin rajonal Vlorë. Familjarët pretenduan se pacienti vuante vetëm nga ana shëndetësore mendore dhe për këtë ka marrë mjekimet përkatëse.

Referuar aktit të ekspertimit mjekoligjor rezulton se vdekja e Bledar Sherifaj, ka ardhur si pasojë e pamjaftueshmërisë së punës së zemrës dhe mushkërive në terren të pankreasit të patrajtuar, si rezultat i bllokimit të rrugëve të kalimit të lëngur të tëmthit.

Kujtojmë se ky është rast i përsëritur pasi pak më parë një tjetër mjek i spitalit të Fierit, u mor i pandehur për të njëjtën akuzë, pasi pacientja Areti Nako, i vdiq në rrugë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco