Pas tre vitesh në kërkim arrestohet një nga ekzekutorët e Shkëlzen Kastratit, dëshmia që çoi policinë tek grupi i vrasësve me pagesë

Pas tre vitesh në kërkim arrestohet një nga ekzekutorët e Shkëlzen Kastratit, dëshmia që çoi policinë tek grupi i vrasësve me pagesë

10:17, 03/11/2023
A+ Aa A-

Pas gati tri vjetësh që nga momenti kur u shpall në kërkim Elmir Tufa, një i ri nga Fushë-Kruja, është vënë në pranga.

Ai ka qenë në kërkim për atentatin e bujshëm të datës 1 shkurt të vitit 2021, ku në një pritë të mirorganizuar iu mor jeta biznesmenit Shkëlzen Kastrati. Në fakt, fati i policisë për atë ngjarje, ishte një dëshmitar okular, i cili pa autorët të largoheshin me një mjet momentin kur dogjën makinën me të cilën kishin realizuar atentatin. Ai dëshmoi se bëhej fjalë për një “Audi” me të cilin ishin larguar personat. Policia, aso kohe hapi kamerat e rrugëve, identifikoi mjetin dhe më pas edhe të zotin, i cili u shoqërua në polici dhe tregoi mbi shitjen e makinës tek një person në zonën e Fushë-Krujës.

Sipas të dhënave të policisë, pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti i ekzekutuar me dy plumba Shkëlzen Kastrati, u mësua se makina ishte shitur me para në dorë dhe mes palëve nuk kishte pasur asnjë akt shitjeje.

Ishte kjo dëshmia që i solli hetuesit e ngjarjes në Fushë-Krujë, në zonën e Niklës, për të kërkuar vrasësit e Kastratit. Ata mundën të arrestonin vetëm njërin prej katër personave të dyshuar si pjesëmarrës në atë krim dhe bëhet fjalë për të riun Albert Zaja, ndërkohë që tre personat e tjerë u shpallën në kërkim. I dyti ra në pranga dje, ndërsa edhe dy të tjerë vijojnë të jenë të ‘zhdukur’ ndonëse janë të dyshuar si një grup vrasësish me pagesë.

Arrestimi

Forcat operacionale speciale kanë arrestuar ditën e djeshme në zonën e FushëKrujës, 31-vjeçarin Elmir Tufa, i cili ishte shpallur në kërkim prej më shumë se dy vitesh pasi gjykata e Fierit i ka caktuar masën “arrest me burg” për vrasjen me paramendim të biznesmenit Shkëlzen Kastrati, ngjarje e ndodhur në 1 shkurt të vitit 2021. Mësohet se forcat operacionale kanë pasur informacion se i riu në kërkim po lëvizte në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë dhe kanë ndërhyrë për arrestimin e tij. Në pamjet e publikuara shihet momenti i arrestimit të Elmir Tufës nga forcat speciale. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë”- njofton policia. Ndërkohë, i arrestuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit është Albert Zaja, i cili u kap në prill të vitit 2021 teksa përpiqej të arratisej nga forcat RENEA në FushëKrujë. Ndërkohë, në kërkim për ngjarjen janë Elson Xheçuka e Roland Cara, të cilët dyshohen se janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. ATENTATI Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njërin prej tyre në kokë, paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij. Ai ka qenë në lëvizje me makinë, është qëlluar nga një person nga një makinë tip ‘Range Rover’. Kastrati ka ecur disa metra duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty. Të gjitha hetimet janë përqendruar tek hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait. Pse grupi hetimor ka dyshime për një hakmarrje? 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij ishte për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco