Kompjuteri do të zbërthehet nga Struktura Antikorrupsion, hetimi për TIMS shkon në SPAK

Kompjuteri do të zbërthehet nga Struktura Antikorrupsion, hetimi për TIMS shkon në SPAK

12:25, 05/10/2023
A+ Aa A-

Kompjuteri ku dyshohet se është ndërhyrë për nxjerrjen e të dhënave në sistemin TIMS, është dërguar për ekspertizë në SPAK.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar bashkëpunim nga kolegët e prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që ekspertimi i kompjuterit të bëhet nga Struktura Antikorrupsion, kjo për shkak të pajisjeve digjitale dhe bashkëkohore që ka ky institucion.

Burime bëjnë me dije se kompjuteri i është dorëzuar SPAK, e për këtë pritet përgjigja e ekspertëve të strukturës se posaçme për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje të jashtme në sistem dhe a janë marrë apo jo të dhëna nga sistemi TIMS.

Lidhur me hetimet që institucioni i akuzës po kryen për këtë çështje, mësohet se Ervin Muça, me detyrë drejtor në departamentin e IT-së, në Policinë e Shtetit, bashkë me shtetasin Klodian Mazari punonjës i AKSH, kanë kryer një ndërhyrje në sistem me pretendimin se do kryenin procesin e backup-it.

Por, nga hetimet e deritanishme rezulton se këtë ndërhyrje këtë shtetas e kanë kryer pa vënë në dijeni eprorët e tyre dhe e kanë bërë në orët e vona të mbrëmjes, jashtë orarit zyrtar.

Por, ajo çka i shton dyshimet e hetuesve për shkelje është fakti se Klodian Mazari nuk është punonjës në Policinë e Shtetit dhe ai nuk ishte i autorizuar për të hyrë në këtë institucion.

Nga të dhënat e mbledhura deri më tani mësohet se ata kanë hyrë në ambientet ku ndodhen serverët duke përdorur një kartë që përdorej nga një punonjëse e Policisë së Shtetit, e cila në kohën kur është bërë ndërhyrja ajo ka qenë me leje dhe nuk ka qenë në punë.

Kujtojmë se në gusht të këtij viti pas kallëzimit të AMP-së, prokuroria nisi hetimet për 2 akuza. Procedimi penal nga akuza e kryeqytetit u regjistrua për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërhyrje e pa autorizuar”. 

Në kudër të këtij procedimi prokuroria e çështjes i kërkoi AMP-së, t'i marrë deklarimet të gjithë zinxhirit drejtues edhe efektivëve të policisë që kishin lidhje me këtë sektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco