Terroristët serbë u stërviten me automjete amerikane/ DASH: Po merremi me këtë çështje

19:35, 03/10/2023
A+ Aa A-

Pas pretendimeve se grupi i terroristëve serbë, që sulmoi në veri, është stërvitur me automjete “Humvee”, që SHBA-ja ia dërgoi Ushtrisë serbe, Departamenti i Shtetit ka deklaruar se është duke u marrë me këtë çështje. Përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga Departamenti i Shtetit kanë deklaruar se e kanë marrë seriozisht një pretendim të tillë dhe se janë duke u marrë me këtë çështje

Pretendimet e ngritura nga profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Westminster Aidan Hehir, se automjetet me të cilat grupet serbe u stërvitën para sulmit në veri të Kosovës, ishin amerikane, do të hetohen.

Hehir shkroi të hënën në rrjetin social X, se automjetet që shihen në pamjet e shfaqura nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, janë të tipit “Humvee”. Shtoi se Departamenti i Sigurisë s’do të jetë i lumtur që Serbia “i ka shfrytëzuar makinat që iu dhanë donacion nga SHBA-ja për t’i stërvitur terroristët”.

Muaj me parë, mediat serbe raportuan se Serbia ka blerë nga SHBA 117 automjete të blinduara Humvee, nga e cila porosi, 66 kanë arritur në korrik të këtij viti.

Bazuar në postimin e Ambasadës Amerikane në Beograd, ku flet një përfaqësues i ushtrisë amerikane, këto automjete do të duhej të përdoreshin për misione paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Posedimi i automjeteve të tilla i lejon Serbisë të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës, të riorganizohet shpejt me partnerët e saj në mbarë botën”, kishte thënë një pjesëtar i Ushtrisë Amerikane.

KOHA, në lidhje me pretendimin për përdorimin e automjeteve amerikane, i ka dërguar pyetje Ambasadës Amerikane në Kosovë, e cila me pas ato i ka përcjellë te Departamenti i Shtetit.

Përmes një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka konfirmuar që janë duke u marrë me këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisjet e ofruara nga SHBA-ja kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet nga DASH.

Mediat në Serbi, në të kaluarën kanë raportuar se SHBA-ja i ka dhuruar Serbisë automjete të këtij lloji. Në vitet 2012 dhe 2017, SHBA-ja ia dhuroi shtetit serb gjithsej 40 automjete të këtij lloji.

Ministri Sveçla ka publikuar të dielën pamje të trupave serbe teksa stërviteshin për kryerje të sulmit në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, janë ngritur pretendime se grupi i dyshuar për terrorizëm në veriun e Kosovës, para sulmit është stërvitur me automjete që në Serbi i ka dërguar SHBA-ja./KOHA DITORE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco