Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Ryshfeti/ Kalon për gjykim dosja e ish- Sekretares së Përgjithshme në MSH

Ryshfeti/ Kalon për gjykim dosja e ish- Sekretares së Përgjithshme në MSH

12:48, 13/09/2023
A+ Aa A-

Kalon për gjykim dosja në ngarkim të ish-Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, specialistes Laura Shteto, biznesmenit Vladimir Topi dhe inxhinierit Silvi Shehu.

Gjykata u ka pranuar kërkesat për gjykim të shkurtuar të 4 të dyshuarve.

Ndaj të pandehurës Duro rëndon akuza e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi të pandehurën Laura Shteto, ndërsa biznesmeni Vladimir Topi dhe inxhinieri i kompanisë së tij, Silvi Shehu akuzohen nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Joana Duro, me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur 'Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës'.

SPAK thotë se Vladimir Topi administrator i kompanisë “Dricons” sh.p.k, me qëllim fitimin në mënyrë të padrejtë të tenderit, i ka dhënë inxhinierit të kompanisë së tij shumën prej 330 mijë lekësh. Këto para Shehu ia ka dorëzuar të pandehurës Laura Shteto, e cila ia ka dorëzuar Sekretares se Përgjithshme të Ministrisë.

Në momentin që është bërë dorëzimi i parave, agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin e Joana Duros dhe personave të tjerë. Për këtë dosje penale pritet të vendosë gjyqtari paraprak, ndërsa SPAK thotë se ka hapur një çështje të re dhe po vijon hetimet për fakte penale të tjera.

Në seancë, Joana Duro, përveç faktit se nuk ka pranuar akuzën, ka kërkuar rikualifikim të veprës penale, nga korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror në korrupsion të funksionarëve publik, duke sjellë si situatë krahasuese Alqi Bllakon që akuzohet për inceneratorët. Gjykata e rrëzoi kërkesën e Duros, duke arsyetuar se rikualifikimi i veprës penale për Bllakon u bë nga Gjykata e Lartë e jo nga Shkalla e Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco