Vrasja e Ardian Nikulajt/ Mbahet seanca në Londër, ja vendimi i radhës

Vrasja e Ardian Nikulajt/ Mbahet seanca në Londër, ja vendimi i radhës

09:58, 05/07/2023
A+ Aa A-

Në Londër është zhvilluar një seancë parapërgatitore e ekstradimit të Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe shqiptarit me pasaportë britanike Edmond Haxhia.

Ata kërkohen nga drejtësia shqiptare nën dyshimin e bashkëpunimit në vrasjen e  Ardian Nikulaj në 19 prill 2023.

Vetë Edmond Haxhia preferoi ta ndjekë këtë seancë prezent në gjykatë. Ndërsa, Harriet Bridgeman iu bashkua online nga shtëpia e saj. Lewis Green, avokati mbrojtës i Thomas Mithan, paralajmëroi se ai do të kërkojë sjelljen në gjykatë të një raporti nga një ekspert i pavarur për kushtet e burgjeve në Shqipëri. Të tillë raporte ekspertësh janë përdorur edhe në të shkuarën për të bllokuar, por pa sukses, ekstradimet e shqiptarëve nga Anglia.

Gjykatësi Daniel Sternberg vendosi vijimin e lirisë me kusht nën monitorimin elektronik për Bridgeman, ndërsa tre të bashkë-akuzuarit e tjerë do të vijojnë qëndrimin në paraburgim. Po ashtu gjykatësi Sternberg kërkoi nga avokatët mbrojtës të dorëzojnë në gjykatë argumentat mbrojtës më 29 gusht.

Ndërsa shteti shqiptar kërkues i ekstradimit të këtyre personave, përmes përfaqësuesit nga Crown Prosecution Service, prokuroria angleze, duhet të dorëzojë prapësimet ligjore më 10 tetor.

Me realizimin nga palët të këtyre urdhëresave të gjykatësit Daniel Sternberg, i hapet rruga shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë në mesin e nëntorit.

Në arrati mbetet britaniku tjetër Harry Simpson, person me Kartelë të Kuqe nga Interpoli pas një urdhër-arresti nga Policia Shqiptare.

Sakaq në Marok është arrestuar Ruben Saraiva, njeriu që sipas policisë shqiptare është autori i vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt. Edhe ndaj tij kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri  me 19 prill në biznesin e tij afër pedonales së Shëngjinit rreth orës 13:30. Policia e Lezhës ka mundur të zbardhë ngjarjen e rëndë të vrasjes me 6 plumba të biznesmenit. Krimi lidhet me një seri vrasjesh të tjera të ndodhura në Lezhë, mes familjeve Nikulaj, Lekstakaj dhe Palaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco