Akuzohen si pjesëmarrës në ekzekutimin e Ardian Nikulajt/ Shqipëria nuk bind Gjykatën në Londër për ekstradimin e anglezëve

Akuzohen si pjesëmarrës në ekzekutimin e Ardian Nikulajt/ Shqipëria nuk bind Gjykatën në Londër për ekstradimin e anglezëve

09:21, 09/06/2023
A+ Aa A-

Ditën e enjte, në Londër, është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të katër personave që janë të kërkuar nga Shqipëria për ekzekutimin që tronditi vendin në prag të zgjedhjeve lokale të Ardian Nikulajt në Shëngjin.

Kjo seancë kishte për qëllim shqyrtimin e provave që kishte nisur prokuroria e Lezhës në ngarkim të të akuzuarve si pjesëmarrës në role të ndryshme në vrasjen e zyrtarit të njohur lokal dhe një prej biznesmenëve më të suksesshëm të qytetit.

Në shqyrtim ishin katër prej 6 personave të shumëkërkuar nga drejtësia jonë, mes të cilëve edhe shqiptari me pasaportë britanike, Edmond Haxhia. I riu është i akuzuar si organizator dhe financues i vrasjes, ndërkohë që tre shtetas britanik, prej të cilëve vetëm dy janë në qeli, janë nën akuzën e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimës për ta nxjerrë në pritë.

Pasi gjykata ka dëgjuar materialin e përgatitur për të mundësuar ekstradimin e shqiptarit dhe të tre britanikëve të akuzuar si të përfshirë në ekzekutimin e Nikulajt, është vendosur që në fakt, seanca e radhës kërkonte edhe 5 muaj të tjerë, me qëllimin për të mundësuar fakte të tjera shtesë që ta bindin gjykatën për fajësinë e shtetasve të vet në llogari të dosjes së përpiluar nga pala jonë.

Sipas të dhënave në Gjykatën londineze është lexuar vetëm dëshmia e vajzës, që ishte e fejuara e Edmond Haxhisë, por ajo nuk ka mjaftuar për ta bindur gjykatën si provë e mjaftueshme për ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.

Sipas të dhënave bëhet me dije se në seancë mbrojtësi ligjor i njërit nga britanikët ka kërkuar liri me kusht, kërkesë që u tha se do të shqyrtohej pasditen e djeshme, ndërkohë që mbrojtësi i Edmond Haxhisë nuk ka paraqitur asnjë kërkesë duke e lënë të lirë gjykatën londineze të veprojë në bazë të provave dhe fakteve që ka paraqitur dhe do të paraqesë Shqipëria kundër tij!

Edmond Haxhia është edhe personi me më shumë peshë në akuzat e ngritura nga Policia dhe Prokuroria shqiptare për shkak se hetimi e lidhi atë me historinë e familjes Lekstakaj të cilët, sipas policisë kishin pasur probleme gjakmarrjeje me familjen Nikulaj, fakt që asnjë polici, gjykatë dhe prokurori nuk e kishte pranuar më parë.

Seanca

Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe Edmond Haxhia, janë katër personat që Gjykata e Londrës i ka nën gjykim për kërkesën e çuar nga pala shqiptare për ekstradim. Drejtësia jonë kërkoi ekstradimin e tyre nga Anglia në Shqipëri rreth dy javë pas ngjarjes, nën dyshimin se janë bashkëpunëtor në vrasjen e Ardian Nikulaj, ndodhur më 19 prill 2023 në Shëngjin të Lezhës.

Gjyqtari Daniel Sternberg vendosi në fund të seancës se shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë do të zgjasë 5 muaj. Më saktë do të zhvillohet më 27 nëntor. Ndërkohë një seancë përgatitore mes palëve në këtë proçes do të zhvillohet më 4 korrik ora 10:00. Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Edmond Haxhia do të vijojnë të qëndrojnë në burg në pritje të gjyqit në nëntor, ndërsa Harriet Bridgeman vijon të jetë në liri me kusht.

Për atë ngjarje është i akuzuar edhe një shtetas tjetër britanik, madje me një rol të mirëpërcaktuar sipas policisë sonë, si vëzhgues, por autoritetet britanike kanë refuzuar ta vënë në pranga. Po ashtu si ekzekutor i Ardian Nikulajt është arrestuar në Marok edhe portugezi Ruben Saraiva, me të cilin ende nuk dihet se çfarë masash ka marrë drejtësia jonë për ta sjellë këtu dhe për ta vënë në bankën e të akuzuarve për atë krim.

Por të gjithë këta persona, sipas Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës dyshohet se kanë kryer vrasje për gjakmarrje. Ose më saktë, kjo ishte edhe motivi që u tha publikisht nga kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku, ditën që doli e lajmëroi zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e personave që morën pjesë në atë ngjarje të rëndë.

Hetimet

Policia dhe prokuroria e Lezhës pretenduan për shumë kohë se kanë një të penduar në lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt, 52-vjeçarit që u ekzekutua mesditën e 19 prillit në hotelin e tij në Shëngjin. Po ashtu policia dhe prokuroria gjetën edhe një motor, në pronat e familjes Haxhia rreth 8 ditë pas vrasjes, duke treguar se ishte mjeti që kishte përdorur portugezi për të ekzekutuar Nikulajn.

E ndërsa “vrasësi” dhe i gjithë grupi i bashkëpunëtorëve e kishin lënë Shqipërinë, dy prej tyre edhe disa javë para vrasjes, prokuroria e Lezhës vijoi me publikimin e një dëshmie që sipas tyre ishte marrë nga një vajzë nga Zejmeni i Lezhës dhe që punonte në “Call Center” në Tiranë. Por ngritja e akuzave, lidhja me historinë e përgjakshme të familjes Lekstakaj, me të cilët Edmond Haxhia ka edhe lidhje gjaku, shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe vënia nën akuzë e shtetasve britanik, bëri që drejt vendit tonë të vinin vetë dy prokurorë nga Anglia.

Duke qenë se në Angli jetojnë edhe djemtë e familjes Lekstakaj, dy prej të cilëve kanë baballarët e vrarë në vitet ‘97-’99, të akuzuarit kishin mbërritur në Angli dhe për të mundësuar hedhjen dritë mbi rolin e secilit prokurorët britanikë erdhën dhe u njohën vetë me provat e grumbulluara nga homologët e Lezhës. Ata qëndruan dy ditë duke u larguar më pas, e që nga ai moment, autoritetet tona nuk publikuan më asnjë të dhënë që lidhej me dëshminë e një të “penduaredëshmitare” që në fakt nuk është e tillë./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco