Shpërthimi tronditës: Si u tentua eliminimi i kreut të PD në Vaun e Dejës

09:56, 12/04/2023
A+ Aa A-

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në një fshat të Vaut të Dejës, ku një mjet ka shpërthyer në momentin që është ndezur për t’u nisur. Lënda plasëse ka qenë e vendosur në pjesën e përparme të mjetit e për pasojë shpërthimi ka ndodhur nga jashtë, duke lënë të paprekur pjesën e brendshme të kroskotit, ndaj fati ishte me Benard Ndrecën, djalin 35 vjeç, lindur dhe banues në Paçram, por që është drejtues i Partisë Demokratike për gjithë zonën e Vaut të Dejës.

Policia doli në një reagim të vakët rreth 2 orë pas ngjarjes: “Rreth orës 7:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip ‘Audi’, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse. Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet. Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, theksoi Policia e Shkodrës.

NGJARJA

Benardi rreth orës 07:07 minuta zbret shkallët dhe ndez automjetin tip “Audi” që e kishte të parkuar para hyrjes së banesës. Zbret nga mjeti, lë derën e makinës hapur dhe kthehet edhe njëherë në shtëpi. Pas diku tri minutash del nga shtëpia dhe pas tij del edhe nëna e tij, e cila niset nga porta e oborrit, ndërsa Benardi ngjitet në makinë, tërheq derën dhe sapo e ndez e niset makina hidhet në erë. Nga pamjet filmike, dëgjohen ulërimat e nënës së tij, e cila vjen mes tymit dhe tmerrit drejt derës së shoferit të nxjerrë të birin, teksa kishte vënë kujën në emrin e tij. Por fati ishte me të dy; Benardi del nga mjeti i padëmtuar fare, ndërkohë që kamerat e shtëpisë filmuan atë akt terrorist, të cilat shumë shpejt u vunë në dispozicion të mediave.

Më pas Benardi kthehet në banesë, risheh pamjet e natës dhe zbulon se dy persona kanë hyrë në oborr rreth orës 01:15 minuta dhe kanë instaluar lëndën plasëse në pjesën e përparme të mjetit. Por si duket nga nxitimi, pasi kanë qenë në dijeni të kamerave, lënda është vendosur larg pjesës delikate të mjetit ku shpërthimi mund të depërtonte brenda që t’i rrezikonte jetën të riut, i cili, menjëherë pas ngjarjes, e konsideroi ngjarjen atentat politik. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka marrë pamjet filmike të kamerave të banesës së familjes Ndreca, ka marrë dëshminë e parë të 35-vjeçarit, i cili ka mohuar të ketë konflikt me persona të tjerë. Më pas është nisur verifikimi menjëhershëm i kontingjentit të zonës dhe për çështjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Për vetë pozicionin e Benard Ndrecës, ngjarja bëhet edhe më e rëndë, teksa Shkodra dhe Vau i Dejës në fakt duken si zonat me të “nxehta” të kësaj fushate, pasi vetëm deri tani janë regjistruar dy sulme me tritol. 

REAGIMI I VETË NDRECËS

Kreu i PD në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, ka reaguar në lidhje me sulmin në tritol që i është bërë mëngjesin e djeshëm, ku automjeti i tij ka shpërthyer sapo është nisur. Në një deklaratë për mediat, Ndreca tha se ky incident ishte i mirorganizuar dhe se ka një emër, politik- ku theksoi se nuk ka asnjë konflikt të hapur me askënd.

Sakaq tha se kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy persona të maskuar, të cilët rreth orës 01:15 minuta në orët e para të mëngjesit, kanë vendosur tritolin në makinë dhe janë larguar. Ndreca bëri thirrje që Policia të distancohet nga politika dhe të bëjë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Ky është një incident i mirorganizuar. Unë jam Benard Ndreca, jam vendali. Nuk kam asnjë lloj përplasje, as unë dhe as familja ime. Ky incident e ka një emër, dihet që e ka emrin politikë. Çdo gjë është e pasqyruar me pamje nga kamerat e shtëpisë. Në orën 6 e 30 kur kam dalë nga shtëpia dhe kam ndezur makinën, pas dy minutash ka shpërthyer. Unë nuk kam asnjë konflikt të hapur me asnjë, është e përdorur politikisht. Mina nuk i është vendosur Benard Ndrecës, por kryetarit të PD-së. Janë të mirorganizuar për një sulm të tillë. Nuk kam pasur asnjë lloj kërcënimi, përplasje. Janë parë që vijnë dy persona, rreth 7 minuta vendosin eksplozivin dhe largohen. Në orën 01:15 e japin kamerat. Thirrja ime që nga Kryeministri e ministri është që Policinë ta distancojnë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë, u bëj thirrje të gjithëve që t’i lënë të lirë. Kurrë nuk mund të mbash një bashki me presion”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco