Masakra/ Gazetarja rrëfen historinë e trishtë të Mimozës: Klithmat e mbesës 10-vjeçare tronditën zonën

Masakra/ Gazetarja rrëfen historinë e trishtë të Mimozës: Klithmat e mbesës 10-vjeçare tronditën zonën

10:07, 13/03/2023
A+ Aa A-

Tirana u trondit mbrëmë nga një ngjarje mafioze në një zonë të populluar, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr me armë ndaj një lokali. Për pasojë nga të shtënat mbeti viktimë një grua e pafajshme, Mimoza Paja, e cila punonte si banakiere dhe kamariere në lokalin e Fajton Muratit, ndërsa u plagosën 5 persona të tjerë.

Gazetarja Klodiana Lala ka përshkruar historinë e trishtë të gruas fatkeqe, e cila kishte pasur një jetë plot halle dhe vështirësi.

MESAZHI I LALËS

Na fal Mimoza që s’të mbrojtëm dot!

Mimoza Paja u qëllua pa mëshirë nga një dorë kriminale mbrëmjen e së dielës në zonën e Don Boskos në Tiranë. Një masakër e tmerrshme me 1 të vrarë e gjashtë plagosur. Klithmat e mbesës 10-vjeçare teksa thërriste nënën, tronditën zonën.

E vogla mbeti e lënduar nga ciflat e xhamave që u shpërndanë nga plumbat e armëve.

Ndërsa Mimoza, 60 vjeçe, gjyshja e saj e dashur, mbeti pa jetë. Aty në derën e lokalit ku punonte si banakiere, lokal në pronësi të një emri të njohur të botës së krimit: Fatjon Murati!

Që do duhej të ishte në burg, jo në vilën e tij luksoze.

Moza, siç e thërrisnin, të gjithë kishte patur një jetë të vështirë. Të trishtë. Në moshën 5-vjeçare, ajo, dy motrat dhe vellai mbetën jetime. U rritën me shumë vështirësi.

Ajo sikurse dhe motra e vëllai krijuan jetën e tyre.

Moza solli në jetë 3 vajza dhe 1 djalë.

Dukej sikur gjithçka në jetën e saj po shkonte më së miri.

Por jo.

Humbja e vëllait të vetëm do ta trondiste shumë.

Dhimbje qe nuk e kaloi kurrë.

“Ah sa vuajti”, kujton mes lotesh një e afërme e saj. Vitet e fundit ajo nisi pune si banakiere. Ndërsa u zhvendos me qira vetëm 10 metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.

‘Si ua bëri zemra ta qëllonin- vijon me tej e afërmja- për bukën e gojës punonte’.

Moza është viktima e radhës e pafajshme qe ekzekutohet nga vrasës gjakftohtë të cilët nuk kursejnë askënd.

Nuk kursyen as Mozen, atë grua fisnike qe rropatej për të rritur mbesën, e cila po rritej nën kujdesin e gjyshes pas divorcit të prindërve dhe martesës së nënës me një shqiptar të Kosovës.

Atë grua që mbylli sytë me një peng te madh, që la pas një vajzë të vogël që me gjasë s’do mundet ta harrojë kurrë tragjedinë që i ndodhi në pak sekonda para syve. Që pa gjyshen pa jetë e të mbuluar nga gjaku.

Mimoza, na fal që s’të mbrojtëm dot.

“Hëngshit kokat’, tha dikur i pari i qeverise. Nuk besoj ta kishte për ty. Sepse ti meritoje respekte, vëmendje.

Mimozë na fal!

Fatjon Murati duhet të ishte në burg. Sepse nëse shteti do e kishte kyçur në qeli, mbase sot ti do ishe gjallë.

Ai u lirua.

Drejtësia i mbylli sytë, edhe pse dinte kush ishte ai, edhe kur e shpalli në kërkim për masakrën te mbikalimi i Fushë Krujës ku viktima mbetën Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha.

S'e shpjegoj dot si mundi të dalë.

Sepse ai u arrestua për një arsenal armësh. Por mesa duket për të fortët, të tërë mbyllin një sy e një vesh.

Fation Murati ndodhej në vilen luksoze kur ti rropateshe duke larë gotat ne banak e pranë teje rrinte mbesa jote.

Plumbat mbi trupin tënd janë plumba që na kanë vrarë sot të gjithëve.

Na fal Mimozë që s’të mbrojtëm dot!

Të gjithë jemi fajtorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco