Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

SYRI TV/ Të reja mbi operacionin ku u kapën 485 kg kokainë: Gjatë ndërhyrjes pati të shtëna armësh

14:36, 11/03/2023
A+ Aa A-

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin e rreth 4 muajve më parë ku u zbulua laboratori i kokainës në Frakull të Fierit. Nga operacioni pati disa të arrestuar mes tyre dhe kryetari i komunës, Viktor Çervenaku, vëllai dhe djali i tij. Burime bëjnë me dije se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë përballur me të shtëna armësh ku si pasojë arriti të largohet edhe kimisti kolumbian Zamir Rodriguez.

Nga SYRI TV

Rreth 4 muaj nga operacioni me disa të arrestuar mes të cilëve ish-kryekomunari i Frakullës në Fier, Viktor Çervanaku, detaje të reja zbardhen për herë të parë. Burime konfirmojnë se gjatë kohës që agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit në koordinim me SPAK dhe DEA-n amerikane, ndodheshin në terren duke survejuar perimetrin dhe gjurmuar përgjegjësit, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Prej kohësh, para se të bëhej ndërhyrja, agjentët civilë ishin vendosur në terren, "i vështirë për ta, për shkak se bëhej fjalë për një zonë rurale ku gjithkush njihej, dhe banorët apo vetë personat që merreshin me aktivitetin kriminal, mund të krijonin dyshime", thanë burimet që ishin të angazhuara në operacion.

Dhe kështu ndodhi. Çervanakët konstatuan lëvizjet e dyshimta dhe në një moment është hapur zjarr me armë në drejtim të agjentëve për shkak se kanë dyshuar se janë në rrezik.

Pas 15 minutash është vendosur të ndërhyhej për shkak se drejtuesit e operacionit kanë arsyetuar se në të kundërt mund të rrezikohej jeta e agjentëve, apo operacioni të dështonte.

Disa prej tyre u kapën në flagrancë, ndërsa disa persona të tjerë arritën të largoheshin, mes tyre, kimisti kolumbian Zamir Rodriguez.

Edhe për këtë të fundit, bëjnë të ditura burime konfidenciale, ka pasur disa episode brenda ditës, ku në fund iu ka shpëtuar efektivëve të Policisë.

Ndërkohë, ende nuk ka asnjë përgjigje nga dy letër-porositë që janë nisur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e Frakullit.

Letër-porositë janë nisur drejt Malit të Zi dhe Kolumbisë, teksa nga kjo e fundit edhe ishte nisur ngarkesa me plehra kimikë, brenda të cilës ishte fshehur edhe kokaina.

Përveç Viktor Çervanakut, bashkë me të në pranga përfundoi edhe i vëllai Zeneli, djali i tij Denilsoni dhe e fejuara e këtij të fundit Enxhi Ferhati.

Gjithashtu u arrsstuan edhe Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi e Marildo Rona.

Disa nga këta të fundit u kapën në Tiranë, në tentativë për të kryer një ekzekutim. Hetimet u drejtuan nga prokurori i SPAK Adnan Xholi, teksa operacioni është konsideruar si nga më të suksesshmit, pavarësisht se ende nuk janë siguruar prova të mjaftueshme, për të shkuar tek kokat e trafikut të drogës me Kolumbinë, që dyshohet të jenë personazhe të njohura të botës së krimit.

Zenel Çervanaku rezulton administrator i një shoqërie tregtare të themeluar në fillim të  vitit të kaluar, me aktivitet për tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë.

Por nuk ka dyshime se qëllimi kryesor ka qenë pikërisht aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Ndërkohë, kujtojmë se gjatë operacionit të nëntorit të vitit të kaluar, përveç kokainës, për të cilën u deshën rreth 3 muaj që të përcaktohej pesha e saj, u sekuestruan   15,910 euro, 6 armë armë zjarri, 108 fishekë, 18 aparate celularë, 5 automjete, 2 lap-topë, 2 armë gjahu etj.

DEA amerikane ishte agjencia që dha sinjalizimin e ngarkesës që kishte 3 muaj që lëvizte nga njëri port në tjetrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco