Belgjika e dënon me 12 vite/ Si u lirua në Shqipëri nipi i deputetit socialist

Belgjika e dënon me 12 vite/ Si u lirua në Shqipëri nipi i deputetit socialist

09:37, 01/03/2023
A+ Aa A-

Ramazan Rraja, 30- vjeçari nga Fushë-Kruja, i njohur më shumë si nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, ndonëse nuk kapet dot nga policia shqiptare, në Belgjikë dënohet me 12 vjet burg.

Ai në fakt është në kërkim, për një nga atentatet më të bujshme të 5 viteve të fundit, ndërkohë që emri i tij përgojohet nga policia dhe prokuroria edhe për një mori aktesh të tjera të rënda kriminale.

Por Ramazan Rraja që është i kërkuar nga SPAK, Policia e Shtetit dhe Interpoli, u shoqërua jo më larg se sa nëntorin e kaluar, teksa lëvizte me autokolonë mjetesh të blinduara në drejtim të Qafë Kasharit në Tiranë. Policia e shoqëroi dhe më pas e la të lirë të riun nga Fushë-Kruja, emri i të cilit ishte përfolur si i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku humbi jetën shoferi i tij, në masakrën e Fushë-Krujës ku u vranë tre të rinj, dhe në një sërë ngjarjesh të tjera.

Por ai u la i lirë, për tu lëshuar më pas urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij, shkruan Panorama. Sipas të dhënave, nipi i deputetit socialist gjendet në Dubai, atje ku janë sot pjesa më e madhe e atyre që konsiderohen emrat e mëdhenj të krimit të vendit tonë.

DËNIMI NË BELGJIKË

Ramazan Rraja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK dhe Policia e Shtetit, për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe “Rrumit” të Shijakut bashkë me Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, është dënuar nga Belgjika me 12 vite burg, për trafik të lëndëve të forta narkotike. Rraja rezulton pjesë e një organizate shqiptaro-letoneze, e cila është zbërthyer në Belgjikë, teksa edhe partneri i tij kryesor, letonezi Kaspars N. u dënua po ashtu me 12 vite burg. Prokuroria vendase kërkoi dënimin e tyre me nga 9 vite, por vendimi i gjykatës ishte me 3 vite më shumë. Gjatë gjykimit, akuza në Belgjikë provoi se organizata kriminale kishte arritur të nxirrte fitime të shumta nga trafiku i kokainës, të cilat më pas janë investuar në ekonominë vendase, Kaspars N. kishte hapur edhe një lokal në Antverp.

Autoritetet vendase si prova paraqitën para gjykatës para të sekuestruara, foto të kokainës të kapur në disa raste. Telefonat celularë të anëtarëve të bandës siguruan materiale të shumta për hetuesit, shtretër hotelesh plot me para, foto jahtesh luksoze dhe orë me vlerë 655 mijë euro. Bosi kryesor i kësaj organizate ishte Kaspars N., nga Letonia, i cili u zbulua falë pajisjeve të përgjimit që i ishin vendosur në banesën e tij në Berchem. Organizata mund të lidhet me tre grupe kokaine të përgjuara. Kaspars N. dhe Ramazan Rraja u përgjuan duke folur për një kontejner që ndodhej në kalatën 1742, i njëjti kontejner me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana, por pa rezultat. Gjatë një kontrolli të ri, doganierët gjetën në tavanin e koshit një grumbull prej 57 kilogramësh kokainë. Autoritetet gjetën po ashtu edhe 50 kilogramë kokainë në Vlissingen në Holandë dhe 80 kilogramë në Romë, që lidhen me të njëjtin grup. Droga, në pjesën më të madhe të rasteve vinte nga Ekuadori, zona e preferuar e punës së kriminelëve shqiptarë të drogës, por me dyshime edhe për disa vende të tjera të Amerikës Latine. Ramazan Rraja është në kërkim në Shqipëri për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndojit dhe “Rrumit të Shijakut”. Vendimi ndaj tij është marrë në mungesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco