VIDEO/ Momenti kur prangoset trafikanti më i madh nga Ekuadori, arrestohet edhe një shqiptar

19:57, 09/02/2023
A+ Aa A-

Ky është momenti kur Emilio Sanchez Farfan, i njohur edhe si ‘Gato Farfan’, prangoset nga policia në Pasto të Kolumbisë.

Emilio Farfan njihet si trafikanti më i madh i drogës në Ekuador dhe një prej trafikantëve më të mëdhenj në botë.

Ai u arrestua pas një operacioni të përbashkët mes policisë së Ekuadorit dhe asaj të Kolumbisë.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, Juan Zapata tha se investigimi për 'Gato Farfan' zgjati 18 muaj. Sipas tij, Farfan është përgjegjës për disa prej masakrave më të rënda në burgjet e Ekuadorit dhe disa prej vrasjeve më të dhunshme në vend.

Mësohet se Farfan u arrestua për llogari të autoriteteve amerikane, ndërsa ishte sanksionuar më herët prej Uashingtonit së bashku me një drejtues të kartelit Sinaloa. Sipas SHBA, Farfan është një prej trafikantëve më të mëdhenj në botë. Ai trafikonte shumicën e drogës nga Ekuadori për në SHBA dhe në Europë.

Interesant është fakti se paralelisht me prangosjen e tij në Kolumbi, në Ekuador u organizuan disa bastisje për llogari të këtij operacioni.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit tha se gjatë këtyre bastisjeve u sekuestruan telefona satelitorë, GPS, 319 mijë dollarë dhe u arrestua një person nga Shqipëria.

Një nga banesat e bastisura ishte një fortesë, që kishte dyer të blinduara dhe katër kasaforta brenda.

Farfan pritet të ekstradohet drejt SHBA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco